Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shumë pak drejtues të komunizmit kërkuan falje, gazetari ngre pyetjen: A mjaftojnë vetëm dy?

Shkruar nga Newsbomb

Gazetari Armand Plaka, në një postim të tijin ka reaguar pas vdekjes së Nexhmije Hoxhës, gruas së ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ai ka përmendur faktin se vetëm dy ish drejtuesë të lartë të komunizmit kanë kërkuar falje, Bedri Spahiu dhe Liri Belishova.

Plaka thotë se kjo nuk është e mjaftueshme, pasi krimet e komunizmit kanë lënë plagë të thella në popullin shqiptar.

Statusi i gazetarit Armand Plaka:

A mjaftojnë vetëm dy?

Vetëm dy vetë janë regjistruar të kenë kërkuar ndjesë, të sinqertë, publike dhe të vërtetë nga gjithë ata ish-anëtarë të strukturave të nomenklatures komuniste në Shqipëri: Ish-Prokurori i Përgjithshëm ( mbahet mend si Prokurori famëkeq i gjyqeve speciale) Bedri Spahiu dhe ish-anëtarja e forumeve të larta drejtuese të PPSH-së, e cila për hir të së vërtetës lakohej në ato kohë si “shumë e rreptë” dhe madje si gruaja (de jure) më me pushtet në Shqipëri, Liri Belishova.

Të dy i bashkonte pak a shumë i njëjti fat. Më kryesorja: ata kishin qenë në struktura të larta të pushtetit të kohës, të dy u persekutuan më pas ekstremisht, të dy i mbijetuan diktaturës dhe në fund, të dy bënë një "mea culpa" për vepra e krime që jo domosdoshmërisht i kishin kryer vetë (duke përfshirë pikesëpari veten e tyre).

Bedri Spahiu do mbahet mend për atë artikull të fillimviteve '90 dhe refleksionet e tij në vitet e fundit të jetës ( po në fillimvitet '90) dhe Liri Belishova, për intervistat dhe mendimet që arriti të japë në vitet e fundit të jetës në mediat shqiptare, ku jo në pak raste i shpëtonin lotë ndërsa kujtonte vuajtjet e së bijës dhe pengun qe s'arriti dot t'i qëndronte pranë në ditët e saj të fundit të jetës.

Por ajo fliste aty edhe për pengun e braktisjes nga një shoqe e ngushtë, "shoqe ideali", "bashkëudhëtare në rrugen drejt fitores mbi fashizmin dhe ndërtimit të socializimit". Për gjithçka, në fund ajo kërkonte ndjesë, ndjese ndaj shqiptarëve për atë që ajo dhe shokët e shoqet e saj i sollën Shqipërisë, vuajtjet që i shkaktuan njerëzve duke besuar se po bënin diçka të drejtë.

Por ata ishin vetëm dy, asnjë më shumë. A mjafton vetëm falja e tyre? A mjaftojnë vetëm dy, ndërsa "ata" janë shumë, vërtetë shumë. Thonë se shumëkush prej ish-kolegëve të tyre e ndjen, por s'ka guxim t’a shprehë pendesën, shumëkush dëshiron të thotë dy fjalë, por ndjehen si të marrë peng, e shumëkush, po vërtetë shumëkush "prej tyre", akoma nuk gjen rrugë drejt pendesës e me shumë gjasa, s'ka për të gjetur ndonjëhere.

Zakonisht njerëzit kur bëjnë prognoza e analiza, urojnë që të kenë sa më shumë të drejtë e të gjejnë sa më shumë perkrahës, por unë në këtë rast do uroja të mos kisha fare të drejtë e të isha thjesht i gabuar në gjykimin tim. Në parashikimin tim. Koha do ta tregojë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu