Rasti i parë me variantin XBB.1.5 të koronavirusit është konfirmuar në Malin e Zi. Ky lajm është bërë me dije nga Instituti i Shëndetit Publik.
“XBB.1.5. është një nënvariant i ri omikron i krijuar nga kombinimi i dy nënvarianteve të tjerë të këtij lloji. Është regjistruar për herë të parë në tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku aktualisht po qarkullon. Vendet evropiane që kanë raportuar deri tani raste të infektimit me nënvariantin XBB.1.5 janë Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Spanja, Suedia, Islanda, Belgjika, Çekia, Portugalia”, thuhet në njoftimin e Institutit të Shëndetit Publik.
Kështu edhe Mali i Zi i është bashkuar listës së vendeve ku është regjistruar ky mutacion.
Autoritetet shëndetësore në Mal të Zi u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe të marrin dozën e tyre përforcuese të vaksinës bivalente në intervalet e rekomanduara sepse “ata që janë vaksinuar siç duhet kanë një pasqyrë klinike më të butë dhe një rezultat më të favorshëm të sëmundjes”, thuhet në njoftim.