Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur, Mirush Kabashi.
Përmes një reagimi zyrtar, Begaj shkruan se Kabashi ngriti peshë sallat kudo ku dhe performoi. Ai thekson se artisti mbajti gjallë brenda shqiptarëve dashurinë për artin.
“Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi”, shkruan Begaj.
Aktori Murish Kabashi u nda nga jeta në moshën 75 vjeçares. Lajmin e hidhur e bënë të ditur vetë familjarët e aktorit, duke thënë se ai vdiq pas mesnatë më 5 dhjetor.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma.Origjina e tij është nga Gjakova. Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.
Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.