Seanca në Gjykatën e Posaçme për ish-kryeministrin Sali Berisha është shtyrë për nesër, më datë 27 Dhjetor. Mësohet se shkak është bërë kërkesa e dy avokatëve të tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi për t'u njohur me provat e SPAK.
Në këto kushte, kërkesa e mbrojtjes është pranuar dhe seanca e radhës do të zhvillohet nesër, ditën e mërkurë në orën 11.00.
Po ashtu, Gjokutaj dhe Mëngjesi kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga procesi, duke pretenduar për konflikt interesi, pasi në kohën kur Sali Berisha ka qenë kryetar i KLD-së ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e posaçme.
Megjithatë, kërkesa për përjashtimin e Gjokës është bërë në mënyrë verbale dhe Irena Gjoka ka kërkuar që konform ligjit ajo të depozitohej me shkrim në sekretari.
Tashmë, kërkesa për përjashtimin e Irena Gjokës do të shqyrtohet nga një gjyqtare tjetër, por siç ka ndodhur për herë të disatë ajo pritet të rrëzohet. Deri nesër, avokatët e Sali Berishës do të kenë kohë të njihen me aktet e reja të dosjes.
Po ashtu, nesër më datë 27 Dhjetor pritet dhe vendimi i Gjykatës së Lartë për fatin e vulës së Partisë Demokratike, nëse ajo do t'i mbetet grupimit zyrtar të drejtuar nga Lulzim Basha, do t'i jepet Sali Berishës, apo dosja do kalojë për shqyrtim në Shkallën e Parë.
Në të njëjtën kohë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët e grupit të Rithemelimit kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste, përpara mjediseve të organit më të lartë të drejtësisë në Shqipëri.