Tre shqiptarë që janë kapur në një shtëpi bari në Britaninë e Madhe janë dënuar në total me 76 muaj burg. Ata kanë qëndruar për disa muaj në qeli, aq sa mediat vendase thonë se ata kanë mësuar anglisht mirë gjatë kësaj periudhe.
Engjell Osmanaj, 29 vjeç, Anjelos Selamaj, 22 vjeç dhe Alban Topi, 29 vjeç, të gjithë u paraqitën në Gjykatën e Truro Crown për dënim pasi u deklaruan fajtorë për prodhimin e kanabisit. Gjykata dëgjoi se si të tre burrat vepronin në bashkëpunim për shkak të frikës se çfarë do të ndodhte me familjet e tyre në shtëpi, me Topin që madje u konsiderua si viktimë e skllavërisë moderne.
Tre të rinjtë janë shprehur se punonin për të mbajtur me para familjarët e tyre, në kushte të vështira ekonomike në Shqipëri. Ata u gjetën në janar në një ndërtesë katër katëshe e mbushur me mbi 800 bimë kanabisi dhe me vlerë 730 mijë paund, nëse droga do të dilte në treg.
Prokurori është shprehur se Topi dhe Selemaj ishin kopshtarë, kurse Osmanaj kishte një rol më të avancuar, si kryekopshtari i operacionit. "Ai nuk ka asnjë dënim të mëparshëm dhe bëri çmos për t'u dërguar para në shtëpi prindërve dhe motrës së tij në Shqipëri, është shprehur prokurori Nicholas Lewin.
[caption id="attachment_640022" align="alignnone" width="810"] Alban Topi, Engjell Osmanaj dhe Anjelos Selamaj (nga e majta në të djathtë)[/caption]
Ndërkohë, avokati i Selamajn dhe Topit, Jon Holmes tha: “Të dy erdhën këtu për një jetë më të mirë dhe përfunduan në burg. Topi konsiderohet si viktimë e skllavërisë moderne dhe të dy e kanë përdorur kohën e tyre në burg për të përmirësuar veten. Ata kanë punuar në mjedisin e burgut dhe kanë mësuar anglisht. Selamaj ka treguar se dëshiron të kthehet në Shqipëri kur të lirohet”.
Në fund, Engjell Osmanaj është dënuar me 40 muaj, Anjelos Selamaj me 20 muaj dhe Alban Topi me 16 muaj.