Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

SHTATORI, PRANGA HEKURI DHE PRANGA LECKE!

Shkruar nga Newsbomb
SHTATORI, PRANGA HEKURI DHE PRANGA LECKE!

Edi Oga, ekskluzivisht për newsbomb.al.

Ky shtator, gjatë gjithë verës na u servir si muaji i:

  1. Rikthimit të normalitetit të jetës në përgjithësi.
  2. Avancimit drejt fundit të procesit të vaksinimit dhe rritja e eficencës spitalore.
  3. Rikthimit të plotë të nxënësve dhe studentëve në auditorë.
  4. Fillimit i një qeverisjeje të re më të përgjegjshme dhe ulja e tensionit politik.
  5. Rivitalizimit të bizneseve dhe rritja e eksporteve
  6. Dhënies së provave konkrete të funksionimit të drejtësisë së re.

Çfarë solli realisht ky shtator?

  • Jeta e përditshme është shumë larg normalitetit.
  • Procesi i vaksinimit ka ngecur, sepse shteti po përdor qasjen e gabuar, detyrimin në vend të informimit. Spitalet nuk e kanë efektivitetin dhe efikasitetin e premtuar për trajtimin e rasteve të prekura.
  • Nxënësit e zhvillojnë mësimin me turne dhe me maska në hundë. Studentët mund ose jo të kthehen pjesërisht në aula, me kushtin e papranueshëm të vaksinimit të detyruar. Një rikthim tek mësimi me turne apo ai “on line”, do të kishte pasoja dramatike afatgjata!
  • Qeverisja e re nuk po duket gjëkundi. Janë marrë thjesht disa vendime pa interes të shprehur publik, ndërkohë që kryeministri vazhdon turet e tij të rëndësishme nëpër Botë! I vetmi “sukses” i kësaj qeverie, akomodimi i më tepër se 900 refugjatëve afganë.

Ndërkohë tensioni politik është shtuar në parametrin më të gabuar të mundshëm, vetëshkatërrimi i asaj që kishte mbetur nga opozita shqiptare. Sundimtarët e partisë demokratike nuk duan kurrësesi t’ia lëshojnë partinë rivalit. Kjo luftë banale për pushtet individësh të pangopur, po u serviret qyetarëve si tragjedi shekspirjane, me një babë e me një bir!

  • Bizneset janë më të drobitura se kurrë. Të goditura nga pandemia, ato kanë vështirësi ekstreme të rimarrin veten për shkak të problemeve në çdo komponent që siguron funksionimin normal të një ekonomie: ulja e fuqisë blerëse, largimi i punonjësve të kualifikuar, konkurenca e pandershme, ekonomia informale, rritje e kostove për lëndët e para, e kështu me radhë. Drama më e madhe e këtij shtatori, është rritja e përgjithshme e çmimeve, si efekt zinxhir i rritjes së çmimit të bukës, “nënës” së të gjitha produkteve me ndjeshmëri të lartë ekonomiko-psikologjike! Sigurisht shqiptarët nuk janë ngritur akoma për të kundërshtuar këto rritje, sepse ne jemi populli më “i adaptueshëm” në botë, ne as kemi, as na mbarojnë!
  • Drejtësia e re dhe “bëmat” e saj, vazhdojnë të bëjnë kryetitujt e lajmeve, por deri tani asgjë me impakt të ndjeshëm në publik nuk ka ndodhur. Vetëm një ish-prokuror është futur në telashe nga drejtësia e re; për ca kohë do të duhet të jetojë në ilegalitet dhe të lëshojë disa nga pronat e tij të njohura.

Kjo situatë kaq e rëndë ka përgjegjësit e saj, të cilët janë eksponentë të qeverisjes dhe ish-qeverisjes qëndrore dhe lokale, pjesëtarë të korruptuar të vetë sistemit të drejtësisë, anëtarë të krimit të organizuar partnerë me njerëzit e veshur me pushtet politik, etj. Për ta duhet të kërcasin prangat, se vetëm kështu mund të fillojë të rregullohet ky vend. Drejtësia, për prangat e saj të hekurit, duhet të marrë shembull nga qeveria, e cila me një lehtësi shembullore, u vendos kur të dojë “pranga lecke” në hundë fëmijëve tanë, qengjave të deleve që ne jemi!

Sondazh

Poll