Hapësire reklamuese

OpEd

SHTATORI I “ARRESTIMEVE”!

Shkruar nga Newsbomb
SHTATORI I “ARRESTIMEVE”!

Nga Edi OGA ekskluzivisht për newsbomb.al

“Në shtator do të ketë arrestime” – kjo sentencë gati makabre ka qenë “hiti i verës” i të gjithë viteve të dekadës së fundit. I bërë i famshëm nga dikush që kishte në dorë të arrestonte të korruptuar por që (për pak) u arrestua për vete po për korrupsion.

Kjo sentencë e papërmbushur është fija e fundit që lidh shqiptarët me shpresën se gjërat do të ndryshojnë për mirë në këtë vend.

A mundet që disa arrestime, qoftë edhe të nivelit më të lartë, të ndryshojnë kursin e politikës me 180 gradë dhe vendi të rrugëtojë në anë të kundërt të greminës?

Arsyetimi është i thjeshtë dhe logjika qëndron. Pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin do të arrestohen! Do t’u konfiskohen pasuritë. Si burracakë dhe legena që janë, për të ulur vitet e tyre të burgut, do të tregojnë shokët. Do të ketë më shumë arrestime dhe konfiskime. Ata që administrojnë pushtet, në veçanti, por edhe të gjithë ata që merren me politikë në përgjithësi, do të dridhen nga frika dhe do ta pyesin mirë b... përpara sesa të shpërdorojnë detyrën. Në këtë mënyrë, korrupsioni do të ndjehet i luftuar, do të vidhet më pak dhe do të punohet më shumë e më mirë për të mirën e përbashkët. Pak a shumë kështu ka ndodhur në Singapor në vitet ’70, apo në Ruanda këto tre vitet e fundit. Pra mund të ndodhë. Është e mundur. Është provuar që nëse drejtësia lufton pa kompromis korrupsionin shtetëror të të gjitha niveleve, krijohen mundësi konkrete për progres ekonomik dhe shoqëror!

Drejtësia e re është shpresa jonë e fundit!

Nëse drejtësinë e re e kanë vërtetë shqiptarët dhe ajo punon për ta, mbase do bëhet më mirë! Nëse drejtësinë e re e ka kapur pushteti, siç besohet në masë, vështirë të bëhet më mirë! Këtë gjë ne nuk e dimë! Duam të besojmë tek e para, sepse të gjithë e kuptojmë dhe e se kjo është shpresa jonë e fundit. Ky është investimi ynë i fundit, sepse investimit 30 vjeçar në partitë politike, populli jopartiak nuk ia pa hajrin! Politikanët e përdorën pushtetin pastërtisht për veten e tyre!

Ja çfarë ka prodhuar investimi ynë 30 vjeçar në poltikë:

Një parti në pushtet e cila përdori çdo mjet, të moralëshëm dhe të pamoralshëm, të ligjshëm dhe të paligjëshëm për të mbajtur pushtetin. Një parti që prodhon qeveri që rritën në mënyrë të frikshme borxhin publik duke shpërdoruar paratë e shqiptarëve, që detyron qytetarët e saj të emigrojnë dhe i ka hapur rrugën shkombëtarizimit të vendit... e njëmijë kusure të tjera që i keni dëgjuar qindra herë.

Një lider “maximus” i cili tashmë punon vetëm për “Nobelin” për paqe dhe lavdi të tjera personale.

Një parti opozitare, dikur e madhe dhe e rëndësishme, tashmë në shkërmoqje të vazhdueshme dhe plot halle kryetarësh e ish-kryetarësh.

Parti dhe partiçka të tjera parazite dhe hajdute, që iu “harroftë emri”!

Nuk e dimë nëse këtë Shtator do të ketë arrestime individësh të korruptuar apo jo!

Ekziston një mundësi jo e vogël që në Shtator apo pak më andej, të arrestohet i gjithë populli, për herë të dytë në dy vite! E kam fjalën për mbylljen nga kovidi, të cilin nuk e ndaj dot nëse është më i keq për ne sesa korrupsioni. Një gjë e di me siguri, të frikësuarit arrestohen më kollaj sesa të korruptuarit!

Sondazh

Poll