Renato Muhaj, shqiptari i cili ekzekutoi ish-bashkëshorten në Florida, Suela Saliaj, ka dalë para Gjykatës. 8 janë akuzat të cilat rëndojnë mbi shqiptarin, më e rënda ajo e vrasjes së ish-partneres së tij. Prokuroria e Largo në Florida thotë se krimet e 34-vjeçarit sa erdhën u shtuan dhe u bënë më të rënda në një hark kohor prej pak orësh.
Gjyqtari i lexoi shqiptarit listën e gjatë të akuzave që rëndojnë mbi të, i vendosi 50 mijë dollarë si garanci pasurore dhe ashtu siç artikuloi shifrën, e njoftoi se nuk do të ishte e mundur ta përdorte këtë të drejtë, për shkak të akuzës së vrasjes së shkallës së parë. Teksa nuk ka shfaqur asnjë lloj pendese, e vetmja gjë që shqiptari kërkoi ishte një avokat.
“A do caktoni avokat për mua?” i tha ai gjyqtarit i cili i ktheu përgjigje pozitive.
Renato Muhaj ne Gjykate
Sakaq, mediat vendase kanë publikuar dhe një tjetër pjesë të dëshmisë së vajzës 8-vjeçare të Renatos. E vogla i shpjegoi policisë se në momentin që e pyeti se pse e vrau nënën e saj, iu përgjigj duke i thënë: Doja me vërtet që të vdiste.
Më tej ajo i ka rrëfyer se pasi i qëlloi të ëmën me thikë e mori atë dhe e tërhoqi zvarrë derisa e hipi në makinë. Si pasojë Alessia kishte pësuar gërvistje dhe mavijosje në trup.
E gjithë ngjarja filloi rreth orës 2:44 të mëngjesit të së hënës, kur policia e Clearëater u lajmërua për një incident në Oakbrook Village Apartments në bllokun 2200 të Nursery Road. Referuar mediave vendase mësohet se efektivët e policisë bënë me dije se shqiptari Renato Muhaj kishte dhunuar dy prindërit e tij dhe ua kishte marrë celularët në mënyrë që të mos lajmëronin 911.
Të dy prindërit u dërguan në spital, ndërkohë efektivët u vunë në kërkim të Muhajt. Një biletë parkimi që shqiptari kishte marrë në Pinellas County në shtator 2022, i drejtoi efektivët drejt aprtamentit të tij ku dhe gjetën të vrarë 32-vjeçaren Suela Saliaj. Mirëpo, nuk gjetën asnjë gjurmë të shqiptarit apo vajzës së tyre, Alessias.
Menjëherë ata u vunë në kërkim dhe rreth orës 08:30 të mëngjesit arritën që përmes sinjalit të telefonit të gjenin Renato Muhajn. Policia gjeti vogëlushen 8 vjeçare dhe Muhajn brenda automjetit në bllokun 1600 të St. Paul’s Drive.
Suela, 32-vjeçe punonte si bankiere në SHBA dhe ishte nëna e një vajze të mitur 8 vjeçe. Në profilin e saj në Linkedin, Suela liston një sërë aftësish të saj, ndërkohë që ka më shumë se 5 vite eksperiencë në shërbimin e klientit në banka. Ajo jetonte prej vitesh në SHBA dhe bashk me të kishin emigruar më pas dhe prindërit si dhe vëllai i saj.
Departamenti i Policisë Clearëater tha se vajza ndodhet e sigurt dhe është me prindërit e nënës së saj.
“Ne të gjithë u vumë në lëvizje këtë mëngjes pasi ky rast po shpalosej me shqetësim të madh për Alessian. Jemi mirënjohës që erdhi ky përfundim”, tha ai.