Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Foreing Policy: Afera shqiptare e "Rrugës së Kombit" dhe korrupsioni i zyrtarëve shqiptarë

Shkruar nga Newsbomb

Foreing Policy, në numrin e saj të fundit, nëpërmjet një artikulli të gazetarit Matthew Brunwasser, një gazetar investigativ në Ballkan, hedh dritë mbi ndërtimin e autostradës “Rruga e Kombit”, prapaskenat, dhe kabllogramet e Wikileaks për të.

Në pjesën që i përket Shqipërisë, tregohen prapaskenat e korrupsionit shtetëror fitimprurës për kompaninë amerikane Bechtel që ndihmoi autostradën, dhe fitimet që ajo mori nga Shqipëria prej 400 milionë dollarësh, fitime, që përkonin me një kredi po kaq të madhe që mori Shqipëria në vitin 2014 nga FMN.

E ndërkaq, prapaskenat e ndërhyrjes së Tom Ridge, implikimit të Lulzim Bashës dhe kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, nëpërmjet kabllogrameve të ambasadës amerikane, bëhen publike në këtë artikull. Më poshtë, është pjesa e artikullit që i përket ndërtimit të autostradës në Shqipëri.

 

Në vitin 2006, Redman gjeti një kryetar qeverie shumë të vendosur për të realizuar një projekt madhor: Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili kishte vendosur të ndërtonte “Rrugën e Kombit” që do të lidhte portin e Durrësit në Adriatik me kufirin me Kosovën, një prioritet i administratës së tij që u vu në qendër të fushatës për rizgjedhje në vitin 2009. Banka Botërore kishte ofruar të ndihmonte Shqipërinë për të financuar dhe përgatitur një procedurë tenderi për kontraktorë vendas, për ndërtimin e rrugës me dy korsi. Ekonomistët e BB thonë se rruga më e vogël do të kishte kushtuar sa një e treta – duke i kursyer afro 700 milionë dollarë fondeve publikë, ose afro 5% të GDP të Shqipërisë – dhe do të kërkonte më shumë kohë për procedurën e tenderit dhe ndërtimit, nga sa ndodhi. Por Berisha këmbënguli për një autostradë me katër korsi dhe ai e donte shpejt. Bechtel ishte e lumtur të ndihmonte.

 

Një kabllogramë e vitit 2006 e Departamentit të Shtetit që u nxorr nga Wikileaks citonte Ministrin shqiptar të Transporteve, Lulzim Basha, që i thoshte ambasadorit të SHBA në vend se Tom Ridge, ish sekretari i brendshëm i SHBA dhe atëherë këshilltar i Berishës, do të shihte propozimin e Bechtelit për qeverinë Berisha dhe do të ofronte rekomandime si të kapërcenin objeksionet e Bankës Botërore. Sipas kabllogramit, “Basha mendon se Ridge mund t’i kërkojë të vijë në Uashington për të promovuar projektin”.

 

Në fund projekti vijoi përmes një procedure të veçantë të përshpejtuar, dhe pa kaluar shumë kohë, detajet e biznesit dolën në dritë. Arben Meçe, një inxhinier ndërtimi në Ministrinë e Punëve Publike në atë kohë tha se ishte i tronditur nga çmimet e materialeve që kishte vënë Bechtel, duke i përshkruar si disa herë më të lartë se ata të tregut. I shqetësuar, Meçe kontaktoi prokurorët dhe ofroi detaje për atë që e përshkroi si “korrupsion”.

 

Basha dhe Andi Toma u akuzuan në 2008 me dy akuza për abuzim me detyrën dhe shkelje të procedurave në mënyrën se si zgjodhën konsulentin për procedurën e tenderit që  i dha kontratën Bechtelit dhe në mënyrën si negociuan kontratën. Prokurorët argumentuan se dyshja i shkaktoi dëm shtetit duke pranuar çmime për njësi shumë më të lartë se ato të ofruara nga kompanitë e tjera dhe duke lejuar punën të fillonte pa një plan dhe pa kosto fikse të përcaktuara (ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri projekti bazohej në një kontratë me çmim për njësi). “Ne nuk gjetëm askund prova që qeveria shqiptare të ketë thënë se çmimi i propozuar nga Bechteli ishte shumë i lartë”, deklaroi ish Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Në kohën e ngritjes së padisë, ajo llogariti se dëmi ndaj shtetit ishte 337 milionë dollarë.

 

Ishte hera e parë që bëhej padi për korrupsion ndaj një ministri në detyrë në historinë postkomuniste të Shqipërisë. Çështja u mbyll në prill 2009 mbi baza proceduriale. Rruga përfundoi në 2010, pikërisht kur nisi puna në Kosovë. Berisha, i cili nuk është më në detyrë, tha në një intervistë se prokuroria ishte “tërësisht e motivuar politikisht”.

 

Në mars të 2014, FMN miratoi një kërkesë për hua prej 457 milionë dollarësh nga Shqipëria, pjeserisht për të paguar borxhet e shkaktuar nga projekti i Bechtelit. Raporti i borxhit publik ndaj GDP është rritur nga 56% në vitin 2006, kur u ndërtua rruga, në 71% në 2013. Sipas deklaratës financiare të lëshuar nga Bechtel tek autoritetet tatimore shqiptare, fitimi i kompanisë ishte afro 32% – ose 400 milionë dollarë – pothuajse aq sa huaja e FMN-së. Një kabllogramë e ambasadës së SHBA e nxjerrë nga Wikileaks e përshkruante projektin si “shumë fitimprurës për Bechtelin”.

 

Për t’u kthyer në Kosovë, qeveria Thaçi vitin që kaloi e vlerësoi autostradën e Bechtelit si një projekt që do të rriste tregtinë, turizmin dhe lidhjet më të ngushta në rajon. Për shembull, zyrtarët thanë se ishte shumë e volitshme për kosovarët që shkojnë në verë të pushojnë në brigjet shqiptarë të Adriatikut: udhëtimi nga Prishtina në det është shkurtuar në 4 orë, nga 9.

 

Megjithatë në realitet, dobia ekonomike e premtuar e Autostradës së Kosovës nuk ka arritur të materializohet. Vetëm një pjesë e vogël e tregtisë së Kosovës ishte me Shqipërinë përpara se të ndërtohej rruga dhe po kështu është edhe sot. Pjesa e eksporteve të Kosovës që shkojnë në Shqipëri është rritur nga 10.4% në vitin 2010, në 14.9% në 2013, sipas Agjencisë kosovare të Statistikave. Përqindja e importeve të Kosovës që vijnë nga Shqipëria – shumë më të mëdhenj në vëllim – është rritur nga 3.2% në 4.5%.

 

Pavarësisht polemikave të vazhdueshme për projektin e autostradës, Bechtelit iu dha një kontratë e dytë në Kosovë vitin që kaloi, një autostradë 40 milje nga Prishtina në kufirin me Maqedoninë. Kontrata u shndërrua në një çështje fushate në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, teksa të dy partitë e mëdha të opozitës premtuan ta anulojnë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese