Një 40 vjeçar që lëvizte me dokumente të rreme policore dhe prezantohej si efektiv i Forcave Speciale, është arrestuar në kushtet e flagrancës nga “Shqiponjat” e Tiranës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit nr.3.
Në rrugën “Hamid Shijaku” shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin Klodjan Gjikdhima të cilit, gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me municion luftarak. Paraprakisht, efektivët kishin informacione se ky shtetas prezantohej si polic.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale municion luftarak, një palë pranga, dy dokumente të falsifikuara për autorizim hyrjeje në institucione, një mbajtëse arme dhe një maskë si ato të Policisë.
40 vjeçari me banim në Tiranë u arrestua në kushtet e flagrancës dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.