Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shqipërisë i shtohet një tjetër festë zyrtare, 22 nëntori “Dita e Alfabetit”

Shkruar nga Newsbomb
Shqipërisë i shtohet një tjetër festë zyrtare, 22

Kalendarit festiv të Shqipërisë i është shtuar një tjetër festë zytare, 22 nëntori dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Edhe pse sërish seanca plenare zgjati jo më shumë se 15 minuta, mes kaosit dhe tensioneve të krijuara, mazhorancës i mjaftuan për të kaluar propozimin për të shpallur 22 Nëntorin, një festë zyrtare.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë ditë pushimi duke nisur nga ky vit. Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë dhe vlerësohet për rëndësinë e tij të institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Numri i festave zyrtare tani shkon në 15, një ditë më shumë pushimi për administratën publike. Ministri Hasani më herët theksoi se 22 Nëntori ka një simbolikë të veçantë, si dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve.

“Është një ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin.

E kemi marrë këtë iniciativë, bazuar në diskutimet që kemi patur pas Samitit të Diasporës. Kryeministrimi i Shqipërisë e njoftoi në prani të të gjithë përfaqësuesve të Diasporës Shqiptare, por duke patur parasysh edhe faktin që ky vit 2024, është një vit shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në rajon, ku Shqipëria shpreson që të ketë një rrugë sa më të qartë e sa më të  shpejtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe ata të Kosovës, Preshevës apo të Malit të zi, janë në procese të rëndësishme përfaqësuese dhe integruese”.

Hasani tha gjithashtu se së bashku me Ministrinë  e Arsimit do përgatisin një kalendar të rëndësishëm eventesh për vitin 2024 të lidhura me gjuhën shqipe.

Kalendari i festave zyrtare në Shqipëri për vitin 2024

01 janar 2024    Festat e Vitit të Ri

02 janar 2024    Festat e Vitit të Ri

14 mars 2024    Dita e Verës

22 mars 2024    Dita e Nevruzit

31 mars 2024    E diela e Pashkëve Katolike*

10 prill 2024       Dita e Bajramit të Madh**

01 maj 2024       Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

05 maj 2024       E diela e Pashkëve Ortodokse*

16 qershor 2024  Dita e Kurban Bajramit**

05 shtator 2024   Dita e Shenjtërimit të Shenjt Terezës

22 nëntor 2024  Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

28 nëntor 2024   Dita Flamurit dhe e Pavarësisë

29 nëntor 2024   Dita e Çlirimit

08 dhjetor 2024  Dita Kombëtare e Rinisë

25 dhjetor 2024 Festa e Krishtlindjeve.

Në seancën e sotme gjithashtu mes bilbilave dhe kaosit të krijuar nga deputetët opozitar, Kuvendi i Shqipërisë i dha “OK” projektligjit “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Propozimi u miratua vetëm me votat e socialistëve në tërësi dhe nen për nen (34 nene). Të vetmit që abstenuan nga radhët e socialistëve janë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe deputeti Erjon Braçe, ndërsa në sallë mungonte kryeministri Edi Rama.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese