Organizata Transparency International nxori të martën raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arrin në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit.
Raporti që analizon zhvillimet e vitit të kaluar, e vë theksin tek lidhja mes korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nga vendet me më shumë korrupsion e deri tek ekonomitë e përparuara.
Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Ndërsa Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë. Një përmirësim prej katër pikësh ka shënuar Maqedonia e Veriut, nga 35 në 39, ndërsa Mali i Zi është mes vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore me numrin më të lartë të pikëve, 46 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.