Shqipëria feston sot, më 29 Nëntor, Ditën e Çlirimit nga forcat fashiste italiane e gjermane. Kjo ditë e rëndësishme për kombin, ka bërë bashkë liderët më të lartë të shtetit në homazhet që po zhvillohen pranë atyre që ranë për liri.
Këtë vit, bëhen 79 vite nga çlirimi i Shqipërisë dhe ashtu siç është traditë tashmë, politika nderon Dëshmorët e Atdheut pranë Memorialit "Nëna Shqipëri", në Tiranë.
Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Prefekti i kryeqytetit Afrim Qendro dhe të tjerë zyrtarë e përfaqësues të lartë të shtetit kanë vendosur buqeta me lule pranë memorialit.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Pas çlirimit të Tiranës, më 17 Nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës. Kryeqendra e veriut u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.