Shqipëria është një vend që ka nisur rrugën e pakthyeshme drejt Bashkimit Europian.
Ritmet e rritjes ekonomike janë të krahasueshme apo dhe më të larta sesa rajoni. Vendi po kthehet në një destinacion turistik, me hyrjet e të huajve që po rriten me ritme dyshifrore., të tërhequr nga çmimet e ulëta, bukuritë e shumta natyrore e trashëgiminë historike.
Megjithatë, vetë shqiptarët po vijojnë të ikin me ritme që janë ndër më të lartat në botë, në raport me popullsinë, duke u drejtuar në shtetet e Bashkimit Europian për të kërkuar azil.
Ndonëse ritmet e ikjes u ngadalësuan disi në vitin 2023, sërish mbeten tepër të larta, në një vend që sot zyrtarisht ka rreth 2.7 milionë banorë, por të saktë këtë shifër do të tregojë vetëm censi, që pritet të publikohet në qershor.
Sipas Eurostat, në 2023 kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian, ose 331 aplikime për 100 mijë banorë, nga 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në BE.
Të dhënat e Eurostat për aplikimet për azil nga të gjitha shtetet, të përpunuara nga Monitor në raport me popullsinë përkatëse tregojnë se Shqipëria ishte e treta në botë për aplikimet e larta për azil në raport me popullsinë (shiko grafikun Aplikimet për azil për 100 mijë banorë në BE, viti 2023).
Në vend të parë është Siria, një shtet që prej vitesh po vuan pasojat e luftës civile. Ky shtet kishte 874 aplikime për 100 mijë banorë në vendet e BE-së në 2023. Sirianët i ikin luftës. Deri në dhjetor 2022, sipas vlerësimeve nga UNCHR kanë humbur jetën mbi 580,000 persona; 13 milionë sirianë janë zhvendosur dhe 6.7 milionë refugjatë të detyruar të largohen nga Siria.
Shteti i dytë është Gjeorgjia, që kishte 668 aplikime për azil në BE për 100 mijë banorë. Gati gjysma e aplikimeve janë në Gjermani, të ndjekura nga Franca dhe Italia. Sipas mediave të huaja aplikimet janë kryesisht për arsye ekonomike, ndërsa në vitin 2023 ato ranë me 12%, kryesisht pasi Gjermania e futi Gjeorgjinë në listën e vendeve të sigurta dhe përshpejtoi procedurat e depërtimit.
Maqedonia e Veriut ka parë vitet e fundit një rritje të emigrimit në raport me popullsinë, duke e renditur atë të katërtën në botë, pas Shqipërisë. Në 2023, sipas Eurostat aplikimet arritën rekordin e viteve të fundit, në 6760 të tilla.
Kosova u rendit e 12-a në botë, me 162 aplikime për 100 mijë banorë. Aplikimet për azil pritet të shtohen ndjeshëm këtë vit, pas heqjes së vizave me vendet e BE-së.
Serbia renditen në vendin e 21, me 68 aplikime për 100 mijë banorë, Mali i Zi me 58.1 (vendi i 25) dhe Bosnja e 48-a, me rreth 49 aplikime.
Në Shqipëri, të dhënat e Eurostat tregojnë se Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, me 3530 aplikime, apo 38% të totalit në vitin 2023. Gjermania renditet e dyta, me 2225 aplikime apo 24% e totalit.
Një raport i fundit i Kombeve të bashkuara, që mat cilësinë e jetesës përmes indeksit të lumturisë gjeti se Shqipëria mbetet ndër shtetet më të palumtura në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë. Pikët e indeksit, që mat lumturinë u përkeqësuan në 2023.
Vlerësimin më të ulët Shqipëria e merr në treguesin e perceptimit të korrupsionit, me vetëm 0.049 pikë, ku pyetja kryesore që u bëhet të anketuarve lidhet me përhapjen e korrupsionit në qeveri. Vlerësim të dobët ka dhe bujaria me 0.138 pikë, që tregon që shqiptarët nuk e mbështesin dhe aq shumë njëri tjetrin.
Renditja është më e lartë tek të ardhurat për frymë, me 1.4 pikë, mbështetja sociale 0.9 pikë, pritshmëria për një jetë të shëndetshme, 0.6 pikë. Shqiptarët mendojnë se nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje në jetë, me treguesin që merr 0.69 pikë.
Niveli i ulët i perceptuar i cilësisë së jetesës duket se është arsyeja kryesore se pse shqiptarët, sidomos të rinjtë, po vijojnë të ikin nga vendi me ritme që krahasohen me shtetet që janë në luftë apo konflikte civile.
Gjallërimi i emigracionit vitet e fundit po shkakton deformime të mëdha në ekonominë e vendit, që nga disponueshmëria e fuqisë punëtore, që po pengo planet e bizneseve për zgjerime e investime, tkurrja e konsumit dhe në afatin e gjatë zhbalancimin e mëtejshëm të skemës së pensioneve./ Monitor