Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, së bashku me ministrin e Energjisë, Damian Gjiknurin kanë udhëtuar drejt shtetit ishullor të Qipros ku janë takuar me homologët e tyre, Ioannis Kasoulides dhe Giorgos Lakkotrypis.
Mediat në Shqipëri nuk janë njoftuar për këtë vizitë të ministrave shqiptarë ndonse janë nënshkruar edhe marrëveshje me palën qipriote.
Bushati dhe Kasoulides pas takimit të dy delegacioneve, kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale në fushën e shëndetësisë .
Ministri grek i Jashtëm, Kasoulides ka deklaruar pas takimit se Qipro mbështet Shqipërinë në rrugën e mbushjes së reformave të kërkuara për anëtarësim në BE.
Ministri Bushati ka theksuar se Shqipëria kërkon forcimin e bashkëpunimit me Qipron, në fushën e energjisë, turizmit, infrastrukturës dhe mjedisit.
“Mbështetja e një shteti të vogël ndaj një shteti tjetër të vogël, jep mesazhin e duhur në rajon. Qëndrimi ynë ndaj çështjes qipriote ka qenë konsistent dhe i qartë në respektimin e ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Bushati.