Kuvendi i Shqipërisë dhe Parlamenti i Izraelit “Knesset”nënshkruajnë Protokollin e Bashkëpunimit Dy palësh. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryetari i Parlamentit të Izraelit “Knesset”, Yuli Edelstein firmosën Protokollin e Bashkëpunimit për Promovimin e Administrimit Mjedisor mes Kuvendit të Shqipërisë dhe“Knesset”.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Pragë, gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar me rastin e Ditës së Holokaustit, ku marrin pjesë mbi 26 kryetarë parlamentesh nga e gjithë Evropa. Përmes kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi, Kuvendi i Shqipërisë dhe“Knesset” rrisin përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin e kushteve mjedisore përmes politikave të gjelbërta dhe për përdorimin e teknologjive të fundit brenda të dy parlamenteve.
Kjo marrëveshje u dakordësua gjate vizitës zyrtare të Kryetarit të Kuvendit, Meta në Izrael gjatë vitit të kaluar ku u diskutua për marrjen e ekspertizës izraelite dhe përdorimit të modelit “Green Parliament” që “Knesset” ka jetësuar në aktivitetin e tij të përditshëm, duke inkurajuar kështu ndërgjegjësimin mjedisor të parlamentarëve dhe punonjësve të administratës në Shqipëri si dhe duke rritur kapacitetet teknologjike, që i shërbejnë krijimit të modelit “Parlamenti i Gjelbërt” në Shqipëri.
“Është nder i madh që firmosim këtë marrëveshje bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe “Knessetit” të Izraelit, e cila lidhet ngushtë me menaxhimin e qëndrueshëm dhe me “Parlamentin e Gjelbërt”. Ne mbështetemi tek “Knesset” dhe eksperienca e tyre e gjerë për të futur në përdorim teknologjitë më të avancuara në Parlamentin tonë” tha Ilir Meta.