Sihana dhe Amari janë dy bebet e para që kanë ardhur në jetë në minutat e para të Vitit të Ri 2024 në Shqipëri. Vogëlushët kanë ardhur në jetë në Qarkun e Tiranës, në dy maternitetet e kryeqytetit, “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”.
Shqipëria është bekuar me vajzë dhe me djalë, me Sihanën e cila ka ardhur në jetë në orën 00:01 pas mesnate, kurse Amari ka lindur disa minuta më pas.
Dy vogëlushët dhe familjet e tyre janë vizituar dhe nga ministrja e Shëndetësisë. Albana Koçiu teksa uroi për një vit sa më të mbarë dhe të begatë për të gjithë shqiptarët, ka dhënë çekun e bebes për të dy të sapolindurit, shkruan newsbomb.al.
Gjatë kësaj vizite, ministrja ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje për të gjithë stafin mjekësor që ishin në shërbim të nënave dhe fëmijëve në natën e ndërrimit të viteve dhe në ditët e para të Vitit të Ri.
Amari, djali i pare qe ka ardhur ne jete ne kete vit te ri 2024
Ajo ka theksuar se qeveria do të vijojë me programet për mbështetjen e fëmijëve, sikurse është edhe bonusi i bebes për të gjithë fëmijët të cilit lindin në Shqipëri. “Do të vazhdojmë të mbështesim familjet dhe të porsalindurit në vendin tonë”, është shprehur ministrja Albana Koçiu.
Që prej vitit 2019 kur dhe nisi zbatimi i programit i bonusit të bebes kanë përfituar mbi 190 mijë fëmijë.