Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shpëton godina e Teatrit Kombëtar? Arkitekti danez u përplas me ndërtuesin shqiptar, ja pse u tërhoq

Shkruar nga Newsbomb

Një portal online që drejtohet nga Neritan Sejamini, ish-këshilltar i Sali Berishës gjatë mandatit të parë në kohën kur ishte kryeministër pretendon se arkitekti danez që projektoi ndërtimin e teatrit Kombëtar, është tërhequr nga aventura shqiptare.

Sipas exit.al, përplasja ka qenë e fortë mes arkitektit danez Bjarke dhe ndërtuesit të paracaktuar për ndërtimin e teatrit të ri, Fusha, rreth cilëisë së materialeve që do të përdoreshin.

Më poshtë artikulli për Teatrin Kombëtar

Firma e arkitekturës Bjarke Ingels e arkitektit danez Bjarke Ingels është tërhequr nga projekti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Tërheqjen e kanë konfirmuar për Exit.al burime të sigurta.

Në mars të vitit 2018, Kryeministri Edi Rama publikoi projektin e hartuar nga Ingels për Teatrin e ri Kombëtar, realizimi i të cilit do të bëhej nga kompania Fusha shpk, nëpërmjet një ligji special. Ky ligj më vonë u kritikua nga Bashkimi Evropian si një shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA). Qeveria, nga ana e saj, u pëgjigj se nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për të ndërtuar një teatër të ri.

Në faqen e saj të internetit, studioja Bjarke Ingels ende ka të listuar si klientin zyrtar të sajin për projektin e teatrit kompaninë Fusha, e cila ka përfituar shumë tendera të dyshimtë nga qeveria Rama.

Më herët, pyetur nga Exit, Ingels ka refuzuar të zbulojë kushtet e kontratës së tij me kompaninë Fusha apo me qeverinë shqiptare, duke e konsideruar atë një “marrëveshje konfidenciale”.

Shembja e mundshme e Teatrit Kombëtar, një nga objektet e fundit të mbetura në Tiranë nga arkitektura e periudhës fashiste, nxiti protesta të shumta nga artistët dhe qytetarët. Protestat nxorrën në pah edhe grabitjen e një pjese të tokës nga Fusha, e cila premtoi të ndërtonte një teatër të ri në këmbim të një sipërfaqeje të madhe toke publike për të ndërtuar gjashtë kulla. Ky fakt dëmtoi rëndë edhe imazhin e vetëshpallur të Bjark Ingelsit, si një arkitekt kundër projekteve korruptive dhe që bien ndesh me të mirën publike.

Megjithatë, duket se nuk janë problemet sociale apo etike ato që e çuan Bjarke Ingelsin të braktiste projektin e lajthitjes së kryeministrit Rama, por problemet në lidhje me cilësinë e materialeve të ndërtimit.

Sipas burimeve të Exit.al, thuhet se Ingels donte të përdorte materiale me cilësi të lartë në ndërtimin e teatrit të ri, por kompania Fusha kërkonte materiale të lira dhe me cilësi të ulët, si një mënyrë për të ulur kostot, dhe, si rezultat, Ingels braktisi projektin.

Mënyra se si jepen tenderat për projektet publike nga qeveria shqiptare e nxit dhe më tepër uljen e kostove nga ana e kompanive. Meqenëse çmimi është caktuar paraprakisht në bazë të kritereve të papërcaktuara qartë, kompania fituese priret të përdorë materiale me cilësi të ulët, që të nxjerrë fitim sa më të lartë. Prandaj cilësia e ndërtimit është sakrifikuar gjithmonë, me qëllim fitimin e kompanisë.

Një shembull tjetër është Stadiumi Kombëtar, i cili ka humbur shumë nga elementet e tij të parashikuara në projekt, si rezultat i “uljes së kostove” nga ana e kompanisë së ndërtimit.

Zyra e marrëdhënieve me publikun e firmës Bjarke Ingels refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të bëra nga Exit.al lidhur me tërheqjen e tyre nga projekti i Teatrit Kombëtar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu