Pas kalimit të kompetencës tek SPAK për hetimin dhe akuzat ndaj deputetit socialist Bujar Çela, lidhur me shpërthimin e ndodhur në Lushnjë, ku mbetën të vdekur dy persona dhe u plagosën shtatë tjerë, këtë të hënë Prokuroria e Posaçme ka çuar në GJKKO kërkesën për rivlerësim të masave që ka caktuar Gjykata e Fierit.
Shumica e personave që u është ngritur akuza janë pa masë sigurie, përveç asaj të pezullimit nga detyra, ndërsa i vetmi që u arrestua është Lenonard Gjini, sipërmarrësi i cili kishte marrë përsipër punimet në kapanonin i cili ishte në pronësi të deputetit Çela. Leonard Gjini u arrestua pasi akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë, me pasoja të rënda”.
Prokuroria e Fierit ditë më parë shpalli mos kompetencë për hetimin dhe akuzat ndaj deputetit socialist Bujar Çela. Përmes një njoftimi publik, u bë me dije se në kushtet kur ai është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, prokuroria kompetente për hetimin e tij është ajo e posaçme, njohur ndryshe dhe si SPAK. Siç ka raportuar më herët përgjatë ditëve Newsbomb.al, Bujar Çela rezulton pronar i tokës ku po ndërtohej një magazinë në Lushnjë dhe nuk ishte i pajisur me leje përkatëse. Nën hetim janë dhe zyrtarët e Bashkisë së Lushnjës që i kishin dhënë atij një leje paraprake në mungesë të plotë të dokumenteve.
Deputeti socialist akuzohet zyrtarisht për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, dhe 161 të Kodit Penal.
Nga ana e policisë gjyqësore nën drejtimin e prokurorëve të gatshëm, që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, kryerje ekspertimit teknik ndërtimi, sekuestrimi dhe këqyrja a dokumenteve, marrja në pyetje e shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, bazuar në nenet 28 pika 1, 75/a, gërma “c” e 84 të Kodit të Procedurës Penale, ka shpallur moskompetencën lëndore dhe i ka dërguar aktet e çështjes penale Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, si prokuroria kompetente për shkak të subjektit, për të vijuar hetimet ndaj shtetasi B.Ç, deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, thuhej në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Fierit.
Deputeti socialist edhe përse fillimisht ka marrë leje ndërtimi për një sipërfaqe 1.000 m2, ka dalë jashtë gjurmës duke ndërtuar në katërfishin e saj, pra mbi 4.000 m2. Bujar Çela duhet të kishte ndalur menjëherë punimet dhe të njoftonte autoritetet për refuzimin e lejes, por ka vepruar duke mos marrë parasysh asnjë parashikim të ligjit shqiptar.
Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, personi që kishte aplikuar për leje dhe po zhvillonte vetë punimet, nuk ka zbatuar asnjë kusht të sigurisë tekniko-ligjore, e që për pasojë i mori jetën shtetasit Roland Hoxha dhe djalit të tij 20 vjeçar, si dhe mbetën të plagosur shtatë shtetas të tjerë, mes tyre dhe vetë deputeti.