Një shpërthim i fortë me tritol raportohet në orët e vona të mbrëmjes së kësaj të marte në Lushnjë. Makina në pronësi të shtetasit Altin Lamçe është hedhur në erë, por fatmirësisht nga ngjarja ka vetëm dëme materiale dhe asnjë person të lënduar.
Mjeti ka qenë i parkuar pranë shtëpisë së tregtarit të fruta-perimeve, kur është hedhur në erë në lagjen “18 tetori” të qytetit.
Forca të shumta të Policisë së Lushnjës ndodhen në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të saj. Po ashtu, është duke u pyetur dhe vetë shtetasi Altin Lamçe, nëse bëhet fjalë për ndonjë konflikt apo për shkak të konkurrencës.
Lushnjë /Informacion paraprak
Rreth orës 22:25, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, në oborrin e banesës së shtetases L. L., 75 vjeçe, ka shpërthyer lëndë e dyshuar plasëse, duke shkaktuar dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.