Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shpërthim i fuqishëm në Kavajë, hidhet në erë me tritol makina e një polici

Shkruar nga Newsbomb

Makina e një efektivi policie në Kavajë ka shpërthyer mbrëmjen e sotme. Mësohet se mjeti ka qenë i parkuar në garazhin e pallatit, në afërsi të vendit të njohur si "Tregu Industrial".

Shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar në të gjithë zonën dhe ka tmerruar banorët e pallatit. Dyshimet janë se mjetit i është vendosur lëndë plasëse tritol, ndërkohë që emri i efektivit të policisë nuk bëhet ende me dije.

Policia dhe shërbimet zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale.

Newsbomb.al mëson se makina që është hedhur në erë me tritol është e efektivit Lulëzim Muça. Ky i fundit mban detyrën e inspektorit të Qarkullimit Rrugor në Kavajë.  

"Më datë 07.06.2022, në orën 22:50, në Kavajë, në parkingun e një pallati, automjeti tip "Opel" në pronësi të shtetasit L. M., (punonjës Policie) ka shpërthyer.  Paraprakisht dyshohet se ka shpërthyer nga lëndë plasëse.

Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve", njofton Policia, duke konfirmuar edhe zyrtarisht sulmin ndaj një efektivi nga radhët e saj.

Gjatë ditëve të fundit sulmet me tritol ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit janë shtuar. Në Shkodër janë raportuar në afro dy muaj tre sulme me tritol ndaj makinave, bizneseve dhe shtëpive të oficerëve te krimit.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll