Shpërthen ambasadori i OSBE, kritika shqiptarëve: Pse e drejtoni gishtin nga ne? Jeni ju që shisni votën

Publikuar tek: politike, më 12:38 02-02-2017 Shpërthen ambasadori i OSBE, kritika shqiptarëve: Pse e drejtoni gishtin nga ne? Jeni ju që shisni votën

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ka hedhur poshtë të gjithë ato akuza që drejtohen ndaj kësaj organizate për dështimin e reformës zgjedhore, duke bërë përgjegjëse partitë politike.

Borchardt theksoi se kërcënimi më i madh për demokracinë është kur qytetarët mendojnë se nuk mund të ndryshojnë sistemin dhe e presin këtë nga të tjerët (ndërkombëtarët). Ai tha se votimi elektronik nuk është garant për zgjedhje të lira, ndërsa solli në vëmendje rastin e Hollandës, shtet që po i rikthehet numërimit të votave me dorë.

Ai gjithashtu kritikoi shqiptarët të cilët nga njëra anë kërkojnë zgjedhje të ndershme dhe nga ana tjetër shesin votën. Ambasadori Borchardt u bëri thirrje qytetarëve të Shqipërisë që ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se të huajt janë vetëm për këshilla dhe jo për të marrë vendime, ato u takojnë shqiptarëve.

Pjesë nga fjala e Bernd Borchardt:

Kërcënimi më i madh për demokracinë është se ajo merret si e mirëqenë: qytetarë që mendojnë se nuk mund ta ndryshojnë sistemin, se janë të tjerët ata që duhet të garantojnë transparencën dhe llogaridhënien e të zgjedhurve. Kohët e fundit, është drejtuar gishti nga OSBE-ja për dështimin e procesit të reformës zgjedhore, por a i keni pyetur udhëheqësit tuaj përse reforma nuk ka ecur më përpara? Vërtet besoni se e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është futja e votimit dhe numërimit elektronik teknikisht të brishtë? Lexova në lajmet ndërkombëtare se Holanda po i kthehet numërimit të votave me dorë për të ruajtur besimin te zgjedhjet.

Ekziston një opinion i përgjithshëm se OSBE-ja dhe ndërkombëtarët janë këtu për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo. Ne jemi këtu për të ndihmuar, për të këshilluar, për t’iu dhënë praktikat ndërkombëtare më të mira, por ne nuk mund të ndikojmë në mënyrë thelbësore dhe as të legjitimojmë sjellje apo rezultate.

Nëse doni zgjedhje të lira e të ndershme kërkojuani partive politike që të punojnë për to. E kanë ata në dorë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme – me mënyrën si mbledhin fonde, me mënyrën si bëjnë fushatë, me kandidatët që vënë në lista, me personat që zgjedhin si komisionerë dhe me mënyrën si numërojnë votat. Ka ende kohë për të forcuar kodin zgjedhor, por tik-taku ecën.

Kini parasysh një gjë: ju, qytetarët e Shqipërisë, jeni forca më e rëndësishme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jeni ju që vendosni nëse do ta shisni votën tuaj apo jo. Jeni ju që vendosni ta fotografoni apo jo fletën tuaj të votimit. Jeni ju që vendosni të pranoni apo jo shfrytëzimin e hierarkive të shërbimeve publike. Jeni ju që vendosni të jeni apo jo një komisioner i ndershëm. Jeni ju që vendosni të toleroni apo jo krimet kundër kodit zgjedhor. Jeni ju që vendosni nëse do të votoni apo jo. “Ne kemi demokracinë që meritojmë”. Të hënën, më 19 qershor, mëngjesin pasardhës, qytetarët e Shqipërisë do të kenë rezultatin që meritojnë dhe udhëheqësit që meritojnë.

Demokracia nis nga ju. Ju lutem, mos e merrni të mirëqenë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0098578929901123
array(1) { ["section"]=> string(107) "shperthen-ambasadori-i-osbe-kritika-shqiptareve-pse-e-drejtoni-gishtin-nga-ne-jeni-ju-qe-shisni-voten-67465" }