Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kosova po zbrazet me shpejtësi

Shkruar nga Newsbomb

Kosova është duke u përballur me një eksod masiv të popullisë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Gjendja gjatë muajve të fundit është vërtet alarmante pasi numri i personave që kanë vendosur të emigrojnë është rritur në mënyrë drastike.

Mediat kosovare raportojnë se gjatë periudhës dhjetor-janar, mbi 30 mijë kosovarë janë larguar nga Kosova dhe shumica e tyre përfundojnë në kampet hungareze dhe ato gjermane. Qytetet më të prekura nga ky fenomen janë Mitrovica, Vushtrria dhe Prishtina, por ajo që është më e frikshme është se numri i personave që vendosin të largohen nga shtëpite e tyre sa vjen dhe bëhet gjithnjë e më i madh.

Sipas statistikave që japin komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, vetëm javën e kaluar janë nxjerrë 2045 certifikata të lindjes për fëmijët nën moshën 16 vjeç, të cilat besohen se përdoren për kalimin e kufirit. Mediat në Kosovë japin shifra edhe më alarmante kur shprehen se më këtë trend, nëse ai nuk ndalet, pritet që gjatë muajt shkurt të largohen 24 deri në 32 mijë qytetarë të tjerë.

 

Arsyeja mbetet varfëria

 

Kosova konsiderohet si shteti më i varfër i Europës dhe ku prespektivat për të rinjtë mungojnë. Rreth 70% e të rinjve në Kosovë janë të papunë, ndërsa 500 mijë qytetarë llogaritet se jetojnë me vetëm 1.72 euro në ditë. Fenomeni i largimit ka prekur më së shumti moshën e re, të cilët kërkojnë një jetë më të mirë në vendet europiane. Por, largime të shumta ka edhe nga mosha më të vjetra, kryesisht kryefamiljarë që nuk sigurojnë dot në Kosovë jetesën për familjet e tyre. Mungesa e investimeve të qeverisë dhe numri i lartë papunësisë e kanë shndërruar Kosovën në një shtet të vështirë për tu jetur. Mungesa e investimeve të huaja ka ndikuar gjithashtu në nivelin e lartë të papunësisë, që llogaritet të jetë mbi 30%.

 

Transporti dhe itinerari

 

Vetëm nga Prishtina nisën çdo mbrëmje pothuajse 15 autobusë drejt kryeqytetit serb, ndërsa të tjerë nisen nga qytete të ndryshme të vendit. Ndërkohë për të siguruar një biletë udhëtimi duhet të prenotosh të paktën dy ditë më parë.

Itinerari që ndjekin këto autobusë është pothuajse i njejtë, pasi kalojnë kufirin serbo-kosovar destinacioni kyç mbetet Beogradi. Sipas të dhënëva, nga Beogradi këta autobusë të tej mbushur me emigrantë nisen drejt kufirit hungarez, ku aty më pas në mënyrë ilegale futen brenda shtetit anëtarë të Bashkimit Europian.

Policia hungareze ka ndaluar gjatë ditës së hënë në një stacion treni, rreth 200 shtetas së Kosovës, të cilët kishin prerë bileta për të udhëtuar drejt Vjenës. Në mesin e refugjatëve ndodheshin edhe shumë fëmijë, por edhe të moshuar.

Një tjetër mundësi për tu “arratisur” nga Kosova janë edhe pasaportat e Shqipërisë. Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur gjatë ditës së hënë aktakuzë ndaj shtetasve Q.B., G.H., dhe Q.R., të cilët akuzohen se së bashku me shtetas nga Shqipëria kryenin falsifikimin e pasaportave shqiptare, për t’ua shitur më pas personave që kërkojnë të largohen nga vendi. Ky aktivitet i paligjshëm dyshohet se ka ekzistuar që prej vitit 2011, pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë me zonën “Shengen”.

 

Vendosja në kampet e vendeve të BE-së

 

Prej më shumë se një viti kampet hungareze janë masivisht të mbushura me kosovarë që nuk dalin prej tyre për disa muaj me radhë. Personat të cilët vendosin të kthehen në Kosovë tregojnë për situatën e tmerrshme që ndodhet brenda këtyre kampeve, pasi nuk kanë kushtet as më minimale për jetesë. Qeveria e Hungarisë ka theksuar disa herë se e ka të pamundur përmballimin e këtij fluksi, por duket se në Prishtinë nuk është gjetur ende asnjë zgjidhje për këtë situatë.

Vjena është stacioni i dytë për emigrantët kosovar që kërkojnë depërtim kryesisht në Gjermani dhe vendet e tjera të Europës veriore. Numri i refugjatëve në kampet e Vjenës gjithashtu është i lartë, ndonse jo në ato përmasa që ndodhet në Hungari. Qeveria austrike shprehet e gatshme që të ndihmojë emigrantët duke u paguar udhëtimin nëse ata vendosin vullnetarisht të kthehen në Kosovë. Gjithsesi, kjo nismë ka dhënë shumë pak efikasitet në mesin e refugjatëve.

Vetëm në kampin e Hamburgut në Gjermani, numërohen më shumë se 1000 kosovar të cilët kanë kërkuar azil në këtë shtet. Ndryshe nga Hungaria, situata në këto kampe është më e pranueshme, megjithatë fluksi duket se ka kapur të papërgatitur edhe vendin më të zhvilluar të Europës. Në disa qytete gjermane, autoritetet lokale kanë vendosur që t’i strehojnë emigrantët që vijnë kryesisht nga Kosova, Serbia, Siria dhe Afganistani në ish-kampet famkeqe të përdorura nga nazistët për hebrenjtë. Ky vendim ka shkaktuar jo pak polemika brenda Gjermanisë.

Edhe në Francë janë hapur gjithashtu kampe për refugjatët kosovarë që kanë kërkuar azil në këtë vend. Televizioni “France 3” ka transmetuar më 30 janar nga një kamp refugjatës në qytetin e Mulhouse, në kufi me Zvicrën, një reportazh se si jetojnë kosovaret atje.

Sipas asaj që ka transmetuar ky emision azilkërkuesit nga Kosova janë të detyruar të ushqehen vetë dhe të gjejnë strehim në ferma, apo stacione trenash e autobusësh, pasi nuk është e mundur që të vendosen të gjithë në kampin e hapur për shkak të numrit të lartë të tyre. 

 

*Kevin Sinani/newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese