
Ashtu sikurse dhe çdo vit, edhe këtë 25 Mars për festën e Pavarësisë, rrugët e Greqisë janë të zbukuruara. E në një ditë simbolike për shtetin fqinj, në zemër të Greqisë, në Athinë, dy shqiptarë kanë sjellë një ide origjinale, të ndërthurur me art dhe modë.
Në kuadër të përgatitjeve për paradën ushtarake të festës kombëtare greke, Eda, një modele shqiptare u shfaq me një fustan nusërie të bardhë, teksa parakalonte pranë tankeve.
Por, Eda nuk ishte e vetme, pasi Roland Harizi, fotograf dhe krijues me sy të mprehtë artistik, e shoqëronte duke kapur çdo moment me aparatin e tij.
Ka qenë vetë Rolandi ai i cili përmes një video të postuar në rrjetet sociale ka treguar Edën teksa pozon pranë tankeve ushtarake, ndërkohë që kjo performancë e saj i ka tërhequr vëmendje dhjetëra qytetarëve. Disa prej tyre e duartrokisnin dhe disa të tjerë shihen me telefona nëpër duar duke e filmuar.