Gazetari Bledi Strakosha, i cili ka qenë dhe një ndër punonjësit të cilët u pushuan nga puna në RTSH, ka fituar së fundmi gjyqin.
Ky lajm është bërë me dije nga vetë gazetari i cili përmes një postimi në “Facebook”, ka bërë me dije se ditën e sotme ka fituar gjyqin kundër Radio Televizionit Shqiptar.
Teksa ka falenderuarit avokatin e tij si dhe vlerësimin korrekt që iu bë çështjes së tij nga ana e Gjykatës së Shkallës së I-rë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Strakosha thekson se ky vendim i jep shpresë dhe besim te drejtësia.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për vendimin e marrë ditën e sotme nga Gjykata e Shkallës së I-rë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, për çështjen time me RTSH-në. Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjidhjes së padrejtësisë që kam përjetuar dhe përpjekjes për të vërtetën dhe drejtësinë.
Ndërhyrja e gjykatës dhe vlerësimi objektiv i çështjes sime më jep shpresë për të ardhmen dhe më jep besim se drejtësia, në fund, do të triumfojë. Jam thellësisht mirënjohës për drejtesinë dhe për trajtimin e kësaj çështjeje si dhe për dhënien e së drejtës që e kam kërkuar prej kohësh. Shumë falenderues edhe ndaj avokatit tim Gedeon Dudushi”, shkruan Strakosha.
Bledi Strakosha, i cili prej 8 vitesh ishte pjesë e stafit të RTSH-së dhe drejtonte emisionin “Me Bledin” shkëputi marrëdhëniet me këtë telvizion në dhjetor të vitit të kaluar. As gazetari nuk i shpëtoi “fshesës” së ish-drejtorit tanimë, Alfred Peza.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Strakosha shkroi aso kohe: Tetë vitet e fundit në RTSH për mua u mbyllën. Asgjë e re dhe asgjë tronditëse për dikë që prej 32 vitesh punon në media. Me lëvizjet e tregut, me ndryshimin e shijeve të audiencës e ndoshta edhe me tekat e drejtuesve a me të kujt u gjendet pranë në zyrë a gjetkë në çaste të caktuara të ditës e të natës, jemi mësuar dhe nuk kapemi të papërgatitur.
I vetmi emocion (i kuptueshëm kësaj radhe) vjen nga lidhja dhe afërsia shpirtërore imja me këtë institucion ku kam hyrë që fëmijë, ku kam mësuar ABC-në e profesionit, ku jam formuar nga profesionistë të televizionit e të drejtimit të mediave.
Që nga fillimi i viteve ‘90-të kur nisa punën në RTSH, kam parë të kalojnë shumë emra të njohur të televizionit, siç kam parë të vijnë e të ikin drejtues dhe emërues drejtuesish: secili me shkallën e vet të përkushtimit, ndershmërisë, aftësisë, zgjuarsisë, qytetërimit. Për vullnete, të cilat nuk është ky rasti t’i analizoj, RTSH ka shumë vite që ndodhet në gjendjen që njihet, por ajo që mund të them është se në këtë institucion ka ekzistuar një lloj pakti i pashprehur ku profesionistët janë trajtuar të paktën si trajton qytetari shtëpinë me qira apo fshatari hurmën e fqinjit kur i bie në oborr. Për sa po ndodh aktualisht në RTSH nuk bëj asnjë koment.
E vetmja frazë që mund të shpreh është se i uroj RTSH-së një fat mesatar. Së fundmi, gjej rastin të falënderoj nga zemra të gjithë ju që në këto tetë vite keni zgjedhur të më ndiqni apo edhe ju që në ekranin e RTSH-së e që në programet e mia keni ndalur rastësisht.
Shumë falënderime tërë atyre personaliteteve të jetës shqiptare, të cilët kanë pranuar të jenë të ftuar në emisionet e mia, qoftë edhe kur e kanë bërë për miqësi apo si “qokë” personale. Bashkë, herët a vonë do të shihemi diku. Me respekt e mirënjohje për të gjithë ju!