
Dita e sotme shënon edhe fundin e formatit televiziv “Big Brother Vip 3” pas një periudhe për afro gati 5 muaj, që mbajti të mbërthyer para ekranit shqiptarët.
Në një konkurrencë të fortë, ndryshe nga herët e tjera këtë vit në finale do të përballen 5 finalistë.
Banorët e mbetur janë aktori i humorit, Julian Deda, aktorja Egla Ceno, moderatori nga Kosova, Meriton Mjekiqi, aktori Romeo Veshaj si dhe banorja tjetër Heidi Baçi.

E ndërsa orët e finales së madhe po afrohen, duket se gara është zhvendosur jashtë shtëpisë së famshme, pasi familjarët e banorëve po lobojnë jashtëzakonisht shumë për të nxjerrë fitues njeriun e zemrës së tyre.
Ndonëse herët e tjera, fituesi i çmimit ishte deri diku i ditur, kësaj radhe është shumë e paqartë se kush mund të jetë “fatlumi” i këtij edicioni, pasi secili në mënyrën e tij ka treguar se vlen.
Big Brother Vip 3 është një reality-show që organizohet nga media Top Chanel në Shqipëri, ku banorë të cilësuar ndryshe si “Vip” që vijnë nga një jetë e njohur publike garojnë për të fituar çmimin e madh prej 100 mijë eurosh.
Gjatë kësaj kohe, ato izolohen në shtëpinë e famshme, ndërsa janë të survejuar 24 në 24 orë në kamera dhe duhet të përballen me sfida nga më të ndryshmet për t’i mbijetuar deri në fund lojës së kurdisur nga autorët e programit.