Reperi i njohur, Arkimed Lushaj, i identifikuar ndryshe me emrin e artit si “Stresi” ka reaguar pas njoftimit se policia e Kosovës e kishte shpallur në kërkim për sherrin në Pejë.
Stresi është i treti në radhë, pasi mbrëmjen e djeshme, policia shpalli në kërkim Noizyn dhe Dj Crax.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar dokumentin e Policisë, bashkëngjitur me këngën e Eli Malajt “Hajde luj shpirti jem”, Stresi ka ironizuar njoftimin e autoriteteve duke shkruar se ato janë bërë shumë qesharakë me këto thirrje, ku kërkojnë ndihmën e qytetarëve për kapjen e tyre.
“A i keni marrë parashutat….Doni ndihmën e qytetarëve ju…. jeni bërë shumë qesharak”,- shkruan Stresi në postim.
Të tre këta persona u futën në listën e të kërkuarve nga autoritetet e Kosovës, pas një sherri brutal midis Noizyt dhe shokëve të tij me personazhin e njohur të Tik Tok, Medi Iseni, ku ky i fundit mori lëndime të rënda fizike, kryesisht në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.
Noizy dhe Crax akuzohen për veprën penale “Lëndim të rëndë trupor”, kurse Stresi “Ndihma” nё kryerjen e veprës penale “Lёndim i rёndё trupor”.
Ngjarja e paprecedentë e njerëzve të artit, që papritmas u kthyen në gangsterë rruge u shënua jashtë ambienteve të një diskoteke në Pejë të Kosovës, ndërsa videoja e konfliktit të tyre është shpërndarë gjerësisht në media dhe rrjete sociale duke marrë jo pak kritika për veprimin anormal të tyre, larg qytetarisë që duhet të transmetojë një artist i këtyre niveleve.