E ftuara e radhës e podkastit të Arbana Osmanit, “Mirëmbrëma Yje” ka qenë, Alketa Vejsiu, një tjetër yll i televizioneve shqiptare. Arbana dhe Alketa, dy mikesha të vjetra, që në kohën kur punonin së bashku në “Top Albania Radio” u bënë bashkë në banesën e moderatores në Bogë.
Arbana në këtë podkast na ka sjellë Alketën të cilën nuk e njihnim deri më sot, pasi intervistat e saj janë shumë të rralla dhe në çdo dalje televizive mundohet të tregohet sa më e rezervuar kur vjen puna te familja, fëmijët, por edhe planet për të ardhmen.
Në fillim të bisedës dy vajzat na zbuluan dhe një tjetër pasion të përbashkët, atë të gatimit. Madje, për një moment Arbana i propozoi Alketës që të hapin dhe një restorant së bashku.
Arbana: Kemi 14 vite që presim të gatuajmë bashkë.
Alketa: Imagjino të bënim një restorant tani ku të gatuanim unë dhe ti, çfarë do të bëhej
Arbana: Hajde e bëjmë një restorant, se nuk ecin keq restorantet
Alketa: Ne do të bënim një restorant shumë të këndshëm.
Në vazhdim të bisedës një pyetje e thjeshtë e Arbanës, “Për çfarë qan më shumë?”, i hapi rrugën emocioneve të trishta që Alketa ka përjetuar gjatë këtij viti që lamë pas.
“Ky vit ka qenë i mbushur me lot. Kam qarë për atë baba që nuk jeton më, por sot dua të flas për të me buzëqeshje. Dua të tregoj gjithçka të bukur që më ka mësuar dhe trashëguar, pa lot.”
Alketa rrëfeu mesazhet e fundit që i ati i kishte lënë, të mbushura me dashuri dhe krenari. “Më thoshte gjithmonë: "Unë do të iki i lumtur sepse pata një fëmijë që nuk më zhgënjeu kurrë. Ti më bëre krenar.’ Ai më la një amanet: të jem e lumtur dhe ta çoj jetën përpara.”
Mbrëmja ka vazhduar pranë zjarrit, ku të dyja kanë pjekur gështenja e kanë pirë verë dhe Arbana e pyeti dhe për bashkëshortin e saj, si lindi dashuria e tyre.
Arbana: Si u njohe ti me bashkëshortin tënd dhe si ka qenë historia?
Alketa: Historia lindi nga dëshira e madhe për të sistemuar nënën dhe vëllain me një shtëpi. Unë isha 19 vjeç bëja dhe dy punë, shkoja dhen ë shkollë, te Petro Nini, kemi qenë në të njëjtin vit bashkë dhe duhet të merrja një kredi. Që të merrja një kredi duhet të bëja të paktën dy rroga që rroga ime të shkonte afërsisht 1 milionë lekë. Mora kredinë kisha diku te 15 mijë euro të mbledhura, kisha fituar një çmim në një festival. Kam prodhuar gjithmonë para, që fëmijë kam marrë një rrogë të mirë. Kisha 15 mijë dollarë të mbledhura nga disa festa që më ftonin, kisha fituar festivalin Mikrofoni i Artë, kisha fituar 5 mijë euro. Ndërkohë jetova punoja dhe ndihmoja babain dhe vëllain. Me ato para shkova shumë krenare te banka. Mora paratë, kredinë dhe bleva shtëpinë. Shkova bleva shtëpinë dhe aty me pronarin e pallatit ku ndërtohej, pasi pagova të gjitha faturat, vendosa që ta kem shokun e jetës dhe gjërat shkuan shumë bukur.