Nëna e reperit Diddy, Janice Combs, ka dalë hapur në mbrojtje të djalit të saj, i cili po përballet me akuza të rënda për abuzim seksual dhe trafikim njerëzor. Përmes një deklarate të bërë të dielën nga avokatja e saj, Janice theksoi:
“Djali im nuk është përbindëshi që po përshkruhet dhe ai meriton të ketë mundësinë të tregojë versionin e tij të ngjarjeve. Zemra më thyhet kur e shoh atë të gjykohet jo për shkak të së vërtetës, por për shkak të një historie të ndërtuar mbi gënjeshtra. Çdo njeri e meriton të dalë në gjykatë dhe të mbrojë veten për të vërtetuar pafajësinë," tha ajo.
Ajo shtoi më tej: “Ndonjëherë, e vërteta dhe gënjeshtra ndërthuren aq ngushtë sa bëhet e vështirë të dallosh njërën nga tjetra, veçanërisht kur e vërteta është e ndërlikuar dhe jashtë asaj që zakonisht besohet. Kjo është arsyeja pse unë besoj se ekipi ligjor i djalit tim vendosi të zgjidhë padinë e ish-të dashurës, në vend që ta kundërshtonte deri në fund. Ky vendim u përdor nga qeveria federale kundër djalit tim, duke e interpretuar atë si një lloj pranimi fajësie.”
Janice iu referua gjithashtu pamjeve të vitit 2016, të publikuara nga CNN, ku Diddy shfaqet në një incident të dhunshëm ndaj ish-të dashurës Cassie në një hotel në Los Angeles. Në nëntor të vitit 2023, Cassie ngriti një padi kundër Diddy për sulme seksuale dhe abuzime fizike të ndodhura gjatë një periudhe 10-vjeçare. Diddy i hodhi poshtë akuzat, dhe padia u zgjidh brenda një dite.
Muajin e kaluar, Diddy u arrestua nën akuzat për trafik seksual, konspiracion të shantazhit dhe përfshirje në prostitucion. Një aktakuzë prej 14 faqesh e përshkruan atë si një individ që ka abuzuar, kërcënuar dhe detyruar gratë dhe njerëzit përreth për dekada, duke përdorur këto akte për të përmbushur dëshirat e tij seksuale dhe për të ruajtur imazhin e tij publik.