![Mariana Kondi nderohet me çmimin “Albanian Excellence”](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/media3/-900-0-1717439104xmarianajpg-814.jpg)
Aktorja e njohur shqiptare dhe shumë e dashur për publikun, Mariana Kondi është vlerësuar me çmimin “Albanian Excellence” për aftësitë e saj në aktrim në disa filma shqiptarë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë aktorja, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Instagram, ku shkruan se ndihet e vlerësuar për këtë titull që i dhuruan, ndërsa falenderon edhe shqiptarët e Bostonit për emocionet e bukura që i përcollën.
“Ndihem e vlerësuar nga Festivali i parë i Filmit Shqiptar në Boston, Massachusetts, me titullin “Albanian Excellence”! Festivali i kulturës, i dijes, humanizmit! Falënderoj të gjithë shqiptarët e Boston-it për emocionet e bukura që më dhanë!”, – shkroi aktorja Mariana Kondi.
Në këtë festival, Mariana ishte aktore pjesëmarrëse në dy prodhime kinematografike shqiptare, me regji të Ermal Mamaqit dhe Erand Sojlit.
“Noli Film Festival” është festivali i parë i filmit shqiptar në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili u zhvillua nga data 31 maj deri në 2 qershor në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit.
Aktori i njohur Erand Sojli si dhe njëkohësisht organizator i këtij evenimenti tha se festivali eksporton te shoqëria amerikane vlerat tona kombëtare. Është festival unik në botë pasi është i vetmi që zhvillohet në një katedrale dhe është një kompeticion dinjitoz artistik si një vatër reference për krijuesit, skenaristët, regjisorët, kompozitorët, operatorët shqiptarë që jetojnë në Amerikë.
Fitimet e këtij festivali do t’i shkojnë AFC (Albanian Fighting Cancer) dhe për qendrën kulturore Fan S Noli. Në këtë vazhdë na u bashkuan shqiptarët që luftojnë këtë sëmundje dhe na mbështetën për të përfshirë sa më shumë njerëz në këtë përpjekje. Nga fitimet tona do të shkoj një pjesë edhe për librarinë e Fan S Nolit, pasi ka nevojë për restaurim, thuhet në deklaratën e tij.