Aktori Jul Deda, finalisti i dytë i BBVA ka qenë një nga banorët më të pëlqyer, ndërsa pas përfundimit të edicionit të tretë të Big Brother, fansat e Dedës mëzi presin ta shohin në ekran.
Aktori i humorit është përfolur shpesh së fundmi për një rikthim në ekranin e “Top Channel”, por vetë Juli përmes një video-mesazhi drejtuar ndjekësve ka treguar se ende nuk e ka vendosur.
Juli tregon se pas përfundimit të BBVA, ka pasur shumë oferta nga televizione të ndryshme, por për aktorin nuk kanë vlerë vetëm lekët, por edhe do të bëjë diçka që t’i pëlqejë ndjekësve të tij.
“Më keni pyetur shpesh dhe jam pyetur shpesh, cilat janë planet në vazhdim. Siç e dini tani është sezon vere dhe emisionet janë pushim për një periudhë 3 mujore. Shumë shpejt do vendos se në cilin televizion do më shihni nga shtatori. Sigurisht është ana financiare por unë dua të bëj diçka të t’i pëlqejë të gjithëve”, - u shpreh Juli.
Por lajmi i mirë për fansat është se gjatë verës, do të zhvillojë një tur me stand-up komedi, në Shqipëri ndoshta edhe jashtë shtetit.
“Sa i përket pjesës së verës, kam një “stand-up” që dua ta bëj në një tur aty ku më kanë mbështetur. Aty ku ka më shumë shqiptarë që duan të na mbështesin dhe takojnë”, - tha ai.