Afrona Dika dhe Blero Muharremi kanë qenë në qendër të mediave rozë ditët e fundit pas publikimit të podkastit të saj “Talk ëith Afrona”.
Episodi ku Afrona interviston ish-burrin e saj, këngëtarin Blero është xhiruar para disa javësh, por një keqkuptim mes tyre bëri që mos të publikohej. Por duket se ish-çifti biseduan dhe u dakordësuan për publikimin e podkastit i cili u bë viral në rrjet.
Afrona së fundmi ka treguar se para se të zhvillohej podkasti, ka folur me Bleron për 3 orë dhe janë sqaruar për gjithçka:
“Kemi pasur një bisedë tri orësh para podkastit. Jemi sqaruar për të gjitha gjërat dhe kemi folur. Nuk mund të them se ka qenë ideja ime apo e Bleros", duke shtuar: "Nuk e kemi pasur block njëri-tjetrin. Thjesht, ka qenë një bisedë që e kemi pasur nevojë ta bëjmë të dy, për shpirtin tonë. Mendoj që gjithmonë duhet të ndahesh në (marrëdhënie) të mirë”.
Ajo u pyet nëse ka një ribashkim në horizont me Bleron, por Afrona nuk nguroi të sqaronte se nuk ka kthim bashkë, por kanë dashur të japin një shembull që ish-bashkëshorti nuk duhet parë si armik.
“Nuk është se do të ribashkohemi. Jemi ndarë, kemi ndarë rrugët dhe jemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Kemi dashur të japim një shembull që ish-bashkëshorti nuk duhet parë si armik. Ky ka qenë mesazhi që kemi dashur të tregojmë.”