
Veterani 100-vjeçar amerikan, i Luftës së Dytë Botërore, Harold Terens është martuar të shtunën e djeshme me të dashurën e tij Jeanne Swerlin, 96 vjeç, në një ceremoni të organizuar në plazhet e Normandisë në Francë.
Çifti i sapomartuar dëshmuan se dashuria është e përjetshme dhe se martesa nuk ka moshë. Për veteranin Terens, kjo është dita më e bukur e tij, ndërsa Swerlin, tashmë bashkëshortja e re shprehet se dashuria nuk është vetëm për të rinjtë, pasi edhe ne mund të përjetojmë flutura në stomak.
“96 vjeçe por ndjej, o zot, kam flutura në stomak njësoj si të rinjtë e dashuruar. Dua të them dashuria nuk është vetëm për të rinjtë, besoj e kuptoni”,- shprehet Swerlin duke qeshur.

Pas celebrimit të dashurisë së tyre, dy të sapomartuarit patën edhe një surprizë të veçantë. Harold Terens dhe nusja e tij e re Jeanne ishin të ftuar edhe në një banket shtetëror të shtruar për nder të Presidentit Joe Biden në Pallatin Elysée në Paris.
Jo rastësisht ata zgjodhën të martoheshin në plazhet e Normandisë, atje ku trupat aleate zbarkuan në vitin 1944, për t’i dhënë udhë çlirimit të Europës nga trupat naziste. Terens kishte qenë atëherë vetëm 20 vjeç, si një pjesëtar i forcave ajrore amerikane.