
Arben Shuaipi (Arben Ulbirch), bashkëshorti i këngëtares së njohur të muzikës popullore Maya Aliçkaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që i dha asaj urdhër të menjëhershëm mbrojtje për shkak të dhunës në familje.
Biznesmeni fierak mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj këngëtares Maya (Fatbardha Ulbirch), duke theksuar se jeton qindra kilometra larg saj, në Itali. Lajmi për dhënien e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për këngëtaren u pasqyrua dhe nga newsbomb.al, shoqëruar me vendimin e gjykatës.
“...në muajin Mars 2024, gjyqtarja Fahrije Stringa ka marrë një vendim për lëshimin e një urdhër-mbrojtje në favor të Majës, e cila pretendonte se unë e kisha dhunuar. Gjykata ka caktuar që unë të qëndroj 200 metra larg ish-gruas time. Së pari ky vendim është tërësisht antiligjor, pasi është marrë pa prezencën time dhe pa më dëgjuar mua si palë e paditur.
Së dyti unë jam me qindra kilometra larg ish-gruas dhe jo 200 metra siç thotë gjykata, pasi jetoj në Itali ku punoj si arkitekt. S’mund të dhunoj gruan në shtëpi apo rrugëve të Tiranë, kur fizikisht nuk jam as në shtëpinë e saj dhe as në Tiranë, por në një shtet të huaj siç është italia. Ne si ish-burrë e grua na bashkon vetëm djali ynë pasi tashmë jetojmë në dimensione dhe vende të ndryshme...”, ka treguar Arben Shuaipi për “Ora News”.
Bashkëshorti i këngëtares thotë se Maya Aliçkaj synon që përmes "manovrave" të tilla në gjykatë ta ndalojë që të shohë djalin e tyre të vetëm, si dhe të marrë pronësinë e dy vilave që çifti ka në zonën e vilave në kompleksin "Rolling Hills".
“...unë kam heshtur dhe kam menduar që konfliktin tonë familjar ta zgjidhnim me mirëkuptim dhe përmes ligjit, duke parë dhe të mirën e djalit, që është pasuria jonë më e çmuar. E gjithë lufta bëhet për djalin, dhe vilat tona që janë në komplekse rezidenciale. Maja mua kërkon të më nxjerrë totalisht nga pronësia e këtyre dy pasurive në Tiranë, njëherësh të më ndalojë dhe takimin me fëmijën.
Maja me sa duket e këshilluar nga mendje të tjera lakmitare ka vendosur të publikojë në media një konflikt familjar tonin, vetëm me qëllimin për të më diskredituar dhe mos lejuar që unë të takoj djalin. Në Shqipëri vij vetëm për të takuar fëmijën tim, madje as gjyqet kam filluar të mos i ndjek duke ja lënë në dorë mbrojtjen avokates time...”, ka treguar Arben Shuaipi.
Këtë të mërkurë në Gjykatën e Tiranës është është zhvilluar seanca e radhës e përballjes gjyqësore mes çiftit, ku togat e zeza kanë lënë kohë palëve që të sjellin analizat toksikologjike dhe çdo provë tjetër shkresore që ato çmojnë të nevojshme. Në 14 Maj 2024, pritet që të dorëzohet dhe akti i ekspertimit psikologjik të fëmijës.