Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Showbiz & Lifestyle

“50 vjet zëri i Kombit”, Osmani e Kurti fjalë zemre Shkurte Fejzës: Në ditët e errëta të robërisë, këngët e tua i dhanë zë lirisë

Shkruar nga Newsbomb
“50 vjet zëri i Kombit”, Osmani e Kurti fjalë zemre
Këngëtarja, Shkurte Fejza

Mbrëmjen e djeshme, është zhvilluar koncerti “50 vjet zëri i Kombit” kushtuar karrierës muzikore të  këngëtares shqiptare Shkurte Fejza si dhe të organizuar në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Midis qindra adhuruesve të zjarrtë të këngëve të artistes më të jashtëzakonshme shqiptare, të pranishëm në këtë koncert ishin edhe drejtuesit e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe pjesëtarë të tjerë të shtabit qeveritar.

Gjatë fjalës së tij në këtë koncert, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vlerësoi kontributin e këngëtares Shkurte Fejza, që me këngët dhe zërin e saj frymëzoi popullin shqiptar të robëruar nga forcat serbe duke i dhënë shpresë dhe forcë për të luftuar për lirinë e kombit të tyre.

Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin.

Andaj do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja, qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën”,- u shpreh Kurti gjatë fjalimit të tij.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila po ashtu ishte mbrëmë e pranishme në natën muzikore kushtuar 50 vjetorit të karrierës së këngëtares, Shkurte Fejza tha se zëri i saj ka bërë jehonë në çdo cep të hapësirës shqiptare dhe se dy këngët “Xhamadani vija-vija” dhe “Mora fjalë” janë himnet tona të përbotshme.

Në postimin e publikuar në rrjetin social, Facebook, Osmani shkruan se në kohërat më të vështira, ku synohej shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës, këngëtarja i dha zë lirisë dhe shpresë kombit të saj.

Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare. “Xhamadani vija-vija” dhe “Mora fjalë”, janë himnet tona të përbotshme, të përjetësuara nga zëri magjik i të madhes sonë.

Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës. U shndërrua në zërin e lirisë!. Urime për 50 vite të arta Shkurte Fejza! Të këndoftë zemra përgjithmonë!”- shkroi Presidentja, Vjosa Osmani.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese