Efektivët e Komisariatit nr.3 në Tiranë, të cilët shoqëruan të riun Lear Kurti, janë pezulluar nga detyra. Lajmin e ka dhënë mbrëmjen e sotme vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Numri një i uniformave blu, është shprehur se duke qenë palë në këtë rast, Policia e Shtetit nuk është shprehur dhe është në pritje të përfundimit të hetimeve. Rrumbullaku i ka konfirmuar këto informacione për Syri Tv.
“Policia duke qenë palë, në lidhje me problemin, nuk ka dhënë asnjë lloj deklarate. Ju lutem shumë, përgjigja ime është e thjeshtë dhe e qartë. Është një rast fatkeq. Ju lutem shumë, nuk kemi një polici të inkriminuar.
Nëse bëhet fjalë për rastin, do të ketë një ekspertizë mjekoligjore. Unë jam drejtor i përgjithshëm dhe nuk mund të jem pjesë e hetimit. Po janë të pezulluar punonjësit e policisë”, tha kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Vdekja e të riut sipas Prokurorisë së Tiranës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka ndodhur si pasojë e gëlltitjes së një qeseje të bardhë, me përmasa 5×5 cm, e cila dyshohet se përmbante lëndë narkotike e llojit kokainë. Ndërkohë, familja ka akuzuar Policinë dhe efektivët që e shoqëruan, për dhunë.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Policinë e Shtetit se ka manipuluar ngjarjen. Ai ka qenë në një vizitë në shtëpinë e Lear Kurtit, ndërsa në rrjetet sociale ka shkruar se autopsia është bërë shumë herët dhe nga një ekspert i vetëm, duke ngritur dyshimet për manipulim.