Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Shkrirja e Gjykatave të Apelit, Llagami: Qytetarët do marrin shërbim më cilësor! S’ishte proces i lehtë, na mori tre vite

Shkruar nga Newsbomb

Nga kjo e mërkurë, 1 shkurt, ka hyrë në fuqi zbatimi i hartës së re gjyqësore me vënien në funksion të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, në një prononcim për mediat u shpreh se me hartën e re gjyqësore qytetarët do marrin shërbimin që i nevojitet dhe të gjitha çështjet që kanë filluar për gjykim në gjykatat e dikurshme të Apelit do të vijojnë në Gjykatën e Përgjithshme të Apelit.

Llagami tha se hartimi i hartës së re gjyqësore nuk ishte i lehtë, por një proces që u mori tre vite dhe se qëllimi kryesor është rritja e shërbimit të cilësisë.

Ajo theksoi se me këtë hartë të re gjyqësore synohet shërbimi më i mirë për qytetarët.

“KLGJ pavarësisht masave që mori me rritjen e kuotave për magjistratët e rinj, u pa e udhës që përveç këtyre masave duhej te merreshin masa edhe strukturore, pra harta e re gjyqësore. Ishte një tendencë që sot po shkojnë gjithë vendet e zhvilluara, rritjen e shërbimit të cilësisë që japin këto gjykata. Synojmë që të kemi gjykata më të mëdha, të profilizuara me gjyqatarë të mirë që do ndikojë tek cilësia e vendimmarrjes që do ketë impakt tek publiku.

Nuk ishte procesi i lehtë, na mori 3 vjet. Nuk ishte diçka e thjeshtë, pasi përballeshim çdo ditë me prioritete. Nuk do ishte bërë nëse ne s’do kishim edhe mbështetjen e partnerëve tanë. Me gjithë kundërshtitë dhe dilemat arritëm ta miratonim se e kuptuam që ishim në një rrugë pa kthim. Sot është koncept shërbimesh, nuk mund të diskutim për shërbime nëse nuk flasim për kosto dhe optimizim të burimeve njerëzore”, tha Llagami.

Harta e re  do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga sot, 1 shkurt,  do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.

 

 

 

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll