Shkrimtari kritikon Bashën në çadrën e protestës: Ti nuk je Hamleti, po raskapit dhe lodh përditë popullin

Publikuar tek: aktualitet, më 21:20 10-04-2017 Shkrimtari kritikon Bashën në çadrën e protestës: Ti nuk je Hamleti, po raskapit dhe lodh përditë popullin

Midis shkrimtarëve që kanë qenë sot në çadrën e PD-së, ka qenë edhe Zija Çela, i cili përtej kritikave për kryeministrin Edi Rama, nuk ka kursyer as për kreun e opozitës, Lulzim Bashën.

“Unë nuk jam nga ata që shohin vetëm zi, por as nuk shoh vetëm gëlqere të bardhë. Prandaj, pa qenë nihilist, nuk jam as optimist me këmbët në majë të gishtave. Por sa herë konstatoj keqpërdorim të njeriut, deri dhe poshtërim të tij, më vjen të klith. Një dokument legalizimi ngjante këto ditë me një llokmë mishi, me të cilën Kryeministri po ndillte mizorisht duke qeshur një fshatar. Vetëm fjalët “Kërce, qenush, kërce!” mungonin.  E di se prej entuziazmit vullnetarë, ka gjasa që ju do të më kundërshtoni për krahun tjetër, por vërejtja bëhet më e moralshme kur njeriun, të cilit ia drejton, e ke të pranishëm.

Zoti Basha, a mund të përdoren edhe forma të tjera, pa e çuar deri në rraskapitje lodhjen e përditëshme dhe monotoninë taksative të çadrës? Unë e di se në çadra e në shpella kanë hyrë edhe filozofë të shquar. Por kanë hyrë për të medituar përkohësisht dhe pa marrë popull me vete. Kam drojën se forcat politike, të shtyra nga precedentët përsëritës, do ta kthejnë në zakon gjatë së ardhmes mbajtjen e kokës në thes, kur kemi nevojë për më shumë hapësirë dhe ajër të freskët. Prandaj uroj që si mjet, qoftë çadra e fundit në kryeqytetin tonë, ndërsa kurrë mos u ardhtë fundi protestave të qytetarëve të lirë, sa herë që liritë u shkelen”, tha ai në fjalën e tij.

Ndërkohë, shkrimtari e ka quajtur absurde kërkesën e Lulzim Bashës, për të bërë dialog me Ramën jo kryeministër. Sipas tij, atëherë takimi Rama-Basha do të ishte i pakuptimtë.

“Nga fillimi i viteve ‘90-të, kur të gjithë po suleshin me turr andej nga frynte era e re, drejt Partisë Demokratike, herë-herë më trazonte një vizion, që sikur më vinte nga e ardhmja. A do të kemi ne pluralizëm të vërtetë për të mos çaluar nga një anë, pyesja veten, a do të mund të transformohet Partia Socialiste, që doli nga pelenat e Partisë së Punës? Në këto rrethana m’u duk sikur identifikova një nga faktorët subjektiv. Ishte koha kur, pasi Ramiz Alia ishte bërë President, shoku Xhelil Gjoni kishte dalë në krye të PS-së. Shkova në zyrën e tij, në Komitetin Qendror, dhe si qytetar e vëzhgues i zhvillimeve politike, i kërkova dorëheqjen. Nuk do të ngurroja sot për të trokitur edhe në Kryeministri apo në selinë e PD-së nëse, për të thënë të vërtetën, nuk do të ishim në situata politike krejt të ndryshme, të pangjashme njëra me tjetrën. Mirëpo ja që ju, megjithatë, ia kërkoni dorëheqjen zotit Rama, ia kërkoni në mënyrë të përsëritur e me ngulm.

Madje lideri i opozitës, zoti Basha, e fton kryeministrin në takim me dorëheqjen e firmosur. Nuk marr përsipër tërë analizën e këtij momenti, veçse po heq ndonjë vizë paralele. Atëherë përse do të bëhej takimi me një njeri të zhveshur nga pushteti, një njeri që nuk ka më tagër për asgjë? Me cilin do të bisedonte zoti Basha? Kryeopozitari nuk është Hamleti dhe as Kryeministri nuk mund të shndërrohet në fantazmën e mbretit, sepse dialogje të këtilla mund të ndodhin vetëm në teatër, si në tragjedinë e Shekspirit. Kam dëgjuar se, në bazë statutit të PS-së, kryetari i Partisë është njëkohësisht kryeministër. Për analogji, e përfaqëson gjithnjë kryetarin socialist një partiak, që nuk është më Kryeministër?

Në karriget zyrtare që kanë, dy liderët antagonistë nuk janë të defaktorizuar, pra të kenë dalë jashtë loje, ndërsa formalisht vazhdojnë ta ngrohin kolltukun. Përkundrazi, ata janë dy faktorë me përfaqësim të plotë politik, të deleguar (tingëllon si të dënuar) për t’u ulur së bashku në tryezën e bisedimeve dhe për të negociuar zgjidhjen e krizës. Më pas, si reziltat i bisedimeve, pse jo, mund të vijnë edhe dorëheqjet, heqjet dorë nga kjo apo ajo tezë, ose edhe duarshtrëngimet. Por, në vend të takohen, ata vazhdojnë të gjuhen me fjalë në distance”, tha Çela.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Çfarë kishte brenda qeses që u gjet e braktisur pranë vendit ku u vra Artan Cuku
Makina e parë në Shqipëri hyri në vitin 1913. Ja kush ishte pronari i saj (Foto) »
Article Logic
Execution time: 0.011690855026245
array(1) { ["section"]=> string(110) "shkrimtari-kritikon-bashen-ne-cadren-e-protestes-ti-nuk-je-hamleti-po-raskapit-dhe-lodh-perdite-popullin-74746" }