Tirana
clear sky
25.5 ° C
25.5 °
25.5 °
44 %
2.6kmh
0 %
Hën
37 °
Mar
37 °
Mër
39 °
Enj
34 °
Pre
32 °
E hënë, 2 Gusht, 2021

“Shkoni breza, merrni dritë, tek Dheu që fle POETI”, Netët e Bejkës së Bardhë, festivali që ruan traditën e isopolifonisë së Lefter Çipës (PËRSHTYPJE)

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Ka pak arsye që të mos ulësh xhamin e dritares së makinës dhe duke qenë e vëmendshme në timon, të gjesh disa sekonda të kthesh kokën majtas për të parë diellin që dalëngadalë po largohet nga mesi i qiellit për të fjetur pas detit që nga aty ku kalojmë duket aq i madh dhe i gjerë sa nuk i vë faj askujt, as udhëtarit më të humbur të mendojë e krijojë në një moment qetësie, e jo më të shkosh e të udhëtosh e qëndrosh atyre anëve ku punoi e krijoi një jetë të tërë i madhi, princi i polifonisë Shqiptare, Lefter Cipa.

Zhurma e rrotave të makinës që fërshellejnë duke kaluar nga një kthesë në tjetrën, nga një mal në tjetrin, ngatërrohet aty-këtu me këngën e zogjve, që nuk dihet të ç’lloji janë, përvecse vendalinjve që dinë të shquajnë fare mirë gjithsecilin zë më vete.

Shtoji kësaj zhurme dhe këmborat e deleveve apo dhive që janë cuar anëve nga barinjtë, aty bëhet një shumëllojshmëri muzikash, që herë kombinojnë, e herë janë zhurmshëm të pakuptueshëm e ngatërrohen me njëri tjetrin.

Gjithë përkujdesjen për tu përqëndruar te rruga e përqëndrimi tek zhurmat ta prish telefonata e Rudina Xhungës, gazetares dhe drejtueses së Dritare.net, që pyet në telefon sesa rrugë kemi akoma përpara.

Po shkojmë në Pilur. Deri në vendin ku autoritetet kanë vendosur tabelën e madhe “Mirëse erdhe në Pilur” shkohet kollaj e rruga gjarpëruese ështe e shtruar me asfalt. Pas kësaj, autoritetet mund ta kenë quajtur të tepërt ta cojnë deri lart, në qendër të fshatit, aty poshtë rrapit të madh përballë lapidarit ku është vendosur skena e do të zbresin bilbilat e vërtetë të isopolifonisë. Kristo Çipa, vëllai i “Nderit të Kombit” Lefter Çipa, edhe këtë vit, ka vendosur të mbledhë nga të gjithë anët, grupet polifonike në festivalin e dytë të ‘Netëve të Bejkës së Bardhë”.

E ka marrë emrin kështu nga vargjet e mëdhaja të shkruajtura nga djali i këtyre anëve, Lefter Cipa: Bejkë e bardhë, borë e malit, ti je ilaçi i çobanit…

Më të vjetrit e fshatit janë ulur ndënë rrapit të madh që lëshon një hije e fryn gjethet fort, saqë të duhet të hedhësh mbi supe një xhaketë sepse nuk ka rreze dielli që të ngroh atyre anëve që fryn. Plakat e veshura me të zeza, kanë vënë njërën dorë nën mjekër e në tjetrën mbajnë shkopinjtë dhe për to, një ngjarje e tillë, i nxjerr nga ballkonet e gurta të shtëpive që janë rikonstruktuar thuajse të gjitha, për të soditur skenën e improvizuar nën lapidarin e fshatit, ku në të majtë është vendosur një fotografi e madhe e Lefterit, e në të djathtë, shkallët, ku grupet polifonike do të ngjiten për të konkurruar në dy netët e festivalit.

Plakat ulen nëpër bordura, sepse karriget përballë skenës, janë vendosur për të ftuarit, ata që kanë ardhur nga ana e anës për të ndjekur hapjen e këtij festivali dhe për të dëgjuar këngë polifonike të Gjirokastrës, Pilurit, Dukatit, Vlorës, Gramshit, Tepelenës, etj.

Kristua, këtë radhë, ndryshe nga festivali i parë i “Bejkës së Bardhë” nuk zë vend. Eshtë me letra në dorë për të ndjekur me përpikmëri organizimin, që nga vendosja e të ftuarve, teksa rregullon kostumet tradicionale të grupeve, herë duke folur me drejtuesit e tyre, e herë të tjera duke takuar të ftuarit.

Aty është Gjergji Goro, kryetari I palodhur i Bashkisë, që mezi pret këtë festival si një element I shtuar turistik për zonën në këtë celje sezoni plazhi; aty është edhe Damian Gjiknuri, deputet I qarkut të Vlorës, apo Laert Duraj, drejtori i postës dhe tashmë deputet i zgjedhur në qarkun e Gjirokastrës; po ka ardhur edhe Ragmi Mustafa, drejt e nga Presheva, si një surprizë për të gjithë drejtuesit e që ka sjellë prej andej tre fidanë kumbullash të kuqe për të treguar miqësinë e pandarë. Ka ardhur Zenel Hoxha, kryetar I dhomës Britaniko-shqiptare të tregtisë, që merr përsipër që këto zëra t’I cojë drejt e në parlamentin britanik për të cuar traditën shqiptare. Ka ardhur edhe aktori i madh Luftar Paja, apo zv.ministri Petro Koçi e deputeti i zgjedhur Baftjar Zeqo. Por si stoli mbi stolitë, janë tre profesorë të mëdhenj të isopolifonisë, nga ata studiuesit që gjenden me pikatore, që nuk dalin shpesh në televizor, por që janë ata të vërtetët që na ngulisin vargjet polifonike në mendje, e na i zbërthejnë ato si rrallëtjetër kush: studiuesi Bardhosh Gaçe, Shaban Sinani e Sejmen Gjokoli i Vlorës, janë anëtarët e jurisë që këtë vit do të vlerësojnë me cmime edhe performancën e grupeve polifonike në skenë.

Gazetari i njohur Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve, djali i princit të polifonisë Lefter Çipa e djalë i atyre viseve, ia ka dalë që të mbledhë në aktivitet shumë kolegë gazetarë: ka ardhur Dritan Hila e bashkëshortja e tij Rudina Xhunga, Mero Baze është aty mes të ftuarve, regjizori Idrit Çobani e gazetarja Anila Basha, kryetarët e Unionit të gazetareve të Elbasanit, Besim Dybeli e kryetari i Unionit të Fierit Vladimir Muçaj. Ka ardhur edhe analisti Frrok Çupi apo ish-gazetari Aldrin Dalipi…

Shkurt, të gjithë janë mbledhur në Pilur. Bilbilat e vërtetë do të pushojnë këngën pak, se asaj skene të improvizuar, do tia nisin bilbilat e isopolifonisë, që të mahnisin jo thjesht me zërat që nga marrësi, kthyesi e mbajtësi, por sjellin aq shumë kolorit me ato kostumet tradicionale të trevave nga vijnë, saqë jeshilja e pemëve dhe kostumet plot ngjyra krijojnë një tablo të mrekullueshme për ta hedhur në telhajo piktorët, apo për ta fiksuar në aparatin celular gjithsecili nga të ftuarit apo vendasit.

Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë” këtë vit, u zhvillua pak muaj pas ndarjes nga jeta të poetit Lefter Çipa (ndarë nga jeta në 18 shkurt 2021), por ai, dukej se ishte aty prezent nëpërmjet vargjeve të tij, dhe vargjeve që të tjerët krijuan për të.

Kristua, vellai, i ka kushtuar një këngë, e kënduar më së miri nga grupi polifonik I Pilurit:

Shkoni breza, merni dritë,

Tek dheu qe fle poeti.

Këngën ta doni si sytë,

Atdheu është amaneti.

Dhe Lefter Çipës iu dedikua ky festival i dytë, sepse siç thotë ai në këngën e vet: “këngët e Atdheut tim, janë ilaç e janë shërim”. Në këtë festival u dhanë shumë çmime, për grupet, për këngët e reja, për këngëtarët në role të ndryshme. E gjitha kjo, pas një pune profesionale të tre anëtarëve të jurisë.

Ndërkaq, të ftuarit u gostitën në darkën e shtruar në këtë event nga organizatorët, aty ku rakia u derdh lumë e nuk të zë aspak; e mishi i qengjave mbushi tavolinat. Muzika jehoi deri në orët e para të mëngjesit, e njerëzit kënduan e kërcyen nën rrapin që në orët e vona të natës nuk bënte më hije, por frynte furishëm për të shpërndarë zërat e zhurmshëm dhe tingut e muzikës së një fshati të zgjuar që nuk pushon: Eshtë Piluri i Lefter Çipës.

Më shumë

spot_img
spot_img