Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shkolla e Policisë së Shtetit, Tahiri: Krimi luftohet në fillim me dije dhe mendje dhe jo me forcë dhe muskuj

Shkruar nga Newsbomb

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri deklaroi se lufta kundër krimit luftohet në fillim me dije dhe mendje dhe jo me forcë dhe muskuj.

"Është bërë tashmë traditë që të hapim dyert e Akademisë për të rinj e të reja, të cilët duan të formohen profesionalisht për të kontribuar që vendi ynë të jetë më i sigurt, e mbi të gjitha më i drejtë.

Është kjo arsyeja që mbi 5 mijë të rinj e të reja u bënë pjesë e konkursit për vetëm 300 të drejta studimi në Akademinë e Policisë. Ne besojmë shumë që ky është institucioni bazë për të ngritur nivelin profesional të të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në Policinë e Shtetit, për t’i shërbyer qytetarëve e për ta bërë Shqipërinë dhe shoqërinë më të drejtë.

Është kjo arsyeja pse rikthyem në Akademinë e Sigurisë jo vetëm konsolidimin e arsimit bazë, por dhe arsimin e lartë. Sepse ne besojmë shumë fort se krimi mbi të gjitha luftohet me dije e me mendje, përpara se të luftohet me forcë e me muskuj.

Është kjo arsyeja pse në Akademinë e Policisë keni profesorët dhe ekspertët më të mirë të Policisë së Shtetit. Është kjo arsyeja pse për Akademinë e Sigurisë kemi ndihmën e vyer të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Ju sot filloni një rrugë jo të shkurtër, e sigurisht aspak të lehtë. Kam bindjen që jeni këtu të ndiqni ëndrrën tuaj. Por shkolla nuk do jetë e lehtë. E ajo që vjen pas shkollës do jetë akoma dhe më e vështirë. Sepse unë besoj se krimi nuk është vetëm. E mbi të gjitha nuk është e vetmja e Keqe.

Ligji ka shumë armiq në këtë vend. E Drejta ka shumë armiq në shoqëri e jo vetëm. Mjafton t’i hedhësh një sy të përditshmes për të kuptuar sa janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të sigurt. Kush janë ata që nuk e duan Shqipërinë më të drejtë. Kush janë ata që nuk duan që Policia e Shtetit të bëjë rezultat. Kush janë ata që nuk e duan fare Policinë e Shtetit.

Do jetë shumë e vështirë për ju rruga për të mësuar e për të kaluar me sukses kursin. E mbi të gjitha, për t’i shërbyer qytetarëve duke luftuar me të gjithë ata që shkelin ligjin dhe të gjithë ata të tjerët që flasin – apo (akoma më keq) nuk flasin, por ndihmojnë që ligji të shkelet dhe Shqipëria të jetë më e padrejtë dhe më e pasigurt.

Cilido prej jush që do bëjë një apo shumë punë, cilido prej jush që do bëjë siç duhet punën për qytetarët, duhet ta dijë që sot që do jetë i sulmuar. Duhet ta dijë që sot që do jetë  shënjestra e të gjithë atyre që nuk duan ligjin, e të gjithë atyre që nuk duan drejtësinë.

Por më e rëndësishmja është që ju të jeni një skuadër, një ekip në familjen e madhe të Policisë së Shtetit. E mbi të gjitha të fitoni çdo betejë me të gjithë ata që nuk duan ligjin, në emër të qytetarëve që duan një Shqipëri më të sigurt dhe më të drejtë.

Beteja jonë më e madhe nuk është me injorancën, nuk është me paaftësinë, nuk është me korrupsionin, nuk është me rezistencën që bënë paligjshmëria apo kriminaliteti. Beteja jonë më e madhe është me të shkuarën e cila ë të gjitha këto përpiqet të na i nxjerrë para rruge për të penguar reformimin e Policisë së Shtetit dhe për të penguar secilin prej jush t’i shërbejë siç duhet qytetarëve.

Unë kam shumë besim që secili prej jush do e fillojë me këmbë të mbarë këtë kurs, duke besuar çdo ditë e çdo minutë të punës suaj që Policia e Shtetit ka vetëm një mision: T’u shërbejë qytetarëve për të fituar besimin e tyre. Sepse besimi i çdo shqiptari është pasuria më e vyer e Policisë së Shtetit. E për të fituar besimin e çdo qytetari ne kemi detyrimin të bëjmë gjithçka, të kalojmë çdo pengesë. Të bëjmë gjithçka është e mundur që bashkë me qytetarët ta bëjmë këtë vend më të sigurt dhe më të drejtë.

Unë besoj shumë fort se nga ky kurs do të dilni më të bindur se dita e parë. Realisht ky vend meriton që të ketë Policinë e gjeneratës tjetër, Policinë e gjeneratës së të ardhmes.

Ju jeni përfaqësuesit më të mirë të vetëdijes tonë dhe domosdoshmërisë së qytetarëve për të luftuar informalitetin, paligjshmërinë, kriminalitetin, për t’i shërbyer qytetarëve me transparencë, pa korrupsion, me devotshmëri. Dhe mbi të gjitha, me besimin e lartë se pasuria më e vyer që kemi sot është përpjekja për të fituar besimin e të gjithë njerëzve për ta bërë Shqipërinë më të sigurt dhe më të drejtë" tha Tahiri.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu