Një 22-vjeçar shqiptar, Hajri Metollari është dënuar me tetë muaj burg në Angli pasi u kap në një fermë kanabisi. I riu u arrestua më 15 maj në Staffordshire pasi u kap në flagrancë duke ujitur bimët narkotike, shkruajnë mediet.
Sipas autoriteteve angleze, Metollari kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar më 30 korrik të 2018, në kabinën e një kamioni. 22-vjeçari punoi fillimisht në ndërtim dhe me ato para shlyeu një pjesë të kostos për rrugën në Angli.
Megjithatë puna në ndërtim nuk ishte e mjaftueshmë dhe ai u detyrua të punojë në shtëpinë e kanabisit në pronësi të bandës së trafikantëve, ne mënyrë që të shlyejë detyrimet me punë.
Policia gjeti në shtëpinë e Metollarit 406 bimë kanabisi, ai u arrestua dhe u dërgua në burgun e Burslem, ku sot mori dënimin e tij prej tetë muajsh nga gjykata. Avokati i tij tha se i riu shqiptar po bën plane për t’u rikthyer në Shqipëri pas përfundimit të dënimit.