Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha ka dalë nga seanca gjyqësore në GJKKO, ku për media ka treguar se për çfarë është pyetur në lidhje me çështjen e Gërdecit.
Ai është shprehur se është pyetur për telefonatat që ka pasur pas shpërthimit të Gërdecit. Berisha tha se ka pasur telefonata me Aldo Bumçin dhe Fatmir Mediun për çështje që kishin të bënin me politikën dhe jo për Gërdecin.
Ndërsa në lidhje me faksin që Aldo Bumçi i ka dërguar atëherë Mediut me shënimin “për Shkëlzen Berishën”, ai tha se nuk dijeni dhe duhet Prokuroria ta zbulojë se kush e ka falsifikuar atë. Ndër të tjera ai të gjithë çështjen e ka quajtur politike, duke thënë se kjo nuk ndihmon as të vërtetën dhe as prokurorinë.
“Të 71 dëshmitarë ndahen në tre kategori, familjarë, ose punonjës të shtetit, ose kompanisë që kanë pasur lidhej me procesin, unë jam i vetmi dëshmitar që s’kam lidhje me këto tre kategori. Kam thënë që dëshmia ime një vit më parë s’ka asnjë lidhje me akuzën. Asgjë ato që thanë s’ka lidhje me akuzën, thirrjen time në këtë proces e konsideroj, skam asnjë informacion që mund ti shërbej akuzës, teatër politik.
Për ta specifikuar të gjitha telefonatat janë kryer pas 2008, praktika dhe puna ka filluar në 2007. Nuk ka pasur cështje në lidhje me këtë. Nuk e kam mohuar kurrë që nuk kam pas komunikuar, por ka qenë për çështje politike dhe s'ka lidhje me VKM-të. Telefonatat me Delijorgjin nuk i kam mohuar, ai ka qenë sipërmarrës dhe kështu e kam njohur.
Qartësia jonë ka qenë e qartë, faksi nuk është i imi, as ka ardhur te unë. Nuk e di nga ka ardhur dhe i takon prokurorisë të zbulojë se kush është ai që e ka falsifikuar. Kjo është çështje politike, në mëngjes thirret djali, në drekë gjykohet babi, në darkë ekzekutohet masa e sigurisë. Politizimi nuk e ka ndihmuar të vërtetën dhe as prokurinë.
Flas me babin tim, por vendimet janë të tij. Babai im nuk ka shmangur gjykatën, dhe arsye se pse nuk ka zbatuar masën e sigurisë është se nuk ka dashur të shkelë të drejtat kushtetuese dhe kushtetutën e vendit”, tha Shkëlzen Berisha.