Tre shqiptarë dhe tre grekë janë vënë në pranga nga policia helene në një aksion për goditjen e një grupi që trafikonte drogë në Athinë dhe ishullin e milionerëve, Mikonos.
Mediat greke shkruajnë se grupi shqiptaro-grek shiste kokainë dhe droga sintetike dhe hetimi për të arrestuarit kishte nisur prej disa kohësh.
Mësohet se tre shqiptarët e arrestuar janë të moshave 26, 28 dhe 33 vjeç. Ndërkohë tre grekët i përkasin moshave 28, 31 dhe 45 vjeç. Gjatë kontrollit në banesat dhe makinat e grupit të trafikantëve janë sekuestruar 4 kilogramë kokainë, 5 kilogramë metamfetaminë, 350 gram kanabis dhe 99 mijë e 495 euro.
Atyre ju janë gjetur edhe një pistoletë, njëzet e dy fishekë, dy makina, një motor, tre peshore dhe 16 telefona celularë.