


Sot paradite po kalonte si një lajm rutinë i flasheve informative dhe portaleve. Por nuk duhet të ishte kështu. Arben Frashëri, punonjësi i përkushtuar i shtetit shqiptar, njeriu që ka vënë shumë herë kokën në rrezik, u largua nga detyra e drejtorit të SHCBA Berat – Fier, se nuk justifikonte dot pasurinë.
Por kush është Arben Frashëri për ata që nuk e kujtojnë karrierën e tij në polici?
Në vitin famëkeq 1997, atëvit kur ndonjë nga anëtarët e komisionit të verifikimit të figurës së policit ndoshta ishte akoma në klas të parë, ai qëndroi në Berat. Komisariati digjej, rrugët kishin rënë në duart e bandave që ecnin të armatosura deri në dhëmbë. Por, kishte një njeri që u organizua, dhe doli përballë. Me forca të pakta, me policë besnikë që kërkonin rikthimin e rendit, dhe kishin me vete popullin.
Arben Frashëri ishte I pari aty. U shpërngul pas Beratit në një zonë shumë të vështirë, në Tropojë. Ishte tropoja e trazuar nga vitet e një lufte të ethshme bandash deri në vitet 2000 e pak më vonë. Arben Frashëri, flinte me kallashnikovin poshtë dyshekut.
Mbaroi ciklin e shërbimeve jashtë Tiranës dhe u kthye në kryeqytet, ku u kujdes të vinte pas hekurave bandat famëkeqe të viteve 2000. Më vonë u angazhua me Gërdecin, ishte në aksionin e marjes së armëve të Gardistëve pas protestës së opozitës me katër të vrarë…
Sot, nuk do të jetë më në shërbim të policisë. Arsyeja? Nuk justifikon dot sesi e ka ndërtuar shtëpinë. Në një vend tjetër, shtëpinë do të duhej t’ia garantonte shteti.