Është shkarkuar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, mëson newsbomb.al.
Veliu u emërua në këtë post në shkurt të vitit 2018. Që prej asaj kohe, ngjarje të bujshme kriminale kanë ndodhur në vend, por gjithashtu ka patur edhe disa operacione dhe bashkëpunime në nivel ndërkombëtar që kanë rezultuar të suksesshme.
Është ende i paqartë shkaku i shkarkimit të tij, që vjen pas afatit 100 ditor për rritjen e performancës, të vendosur nga kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se vetëm një ditë më parë në qytetin e Elbasanit u ekzekutuan me armë zjarri dy persona të përfolur si njerëz të botës së krimit.
Po ashtu ditën e djeshme në Veri të Shqipërisë u rrëzua një avion i dyshuar se transportonte drogë, ndërsa dy pilotët arritën të largoheshin pa gjurmë me një fuoristradë.
Shkarkimi i Veliut vjen rreth një javë pas ngjarjes së rëndë në lagunën Kune-Vain të Lezhës, ku mbeti i vrarë nënkomisari i policisë Saimir Hoxha.