Plot 33 punonjës të Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik janë urdhëruar që të largohen nga puna deri në dhjetor, pasi mesa duket kjo drejtori e rëndësishme është vendosur të shkrihet.
Drejtoria e cila ka si objekt kryesor të veprimtarisë së saj plotësimin e kërkesave për mjedise pune, banimi dhe shërbimi të përfaqesive të huaja të Trupit Diplomatik të akredituara në RSH, prej 4 vitesh ka në krye të saj, nën mandatin e LSI-së, gjeneralin Shpëtim Spahiu, dhe varet nga Ministria e Jashtme.
Me argumentin se ministritë u ristrukturuan dhe drejtoritë do të ndjekin të njëjtin rrugëtim, në ministri të ndryshme janë urdhëruar largime kolektive të punonjësve nga vendet e tyre të punës. Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik ka urdhëruar 33 punonjës të saj që deri në muajin dhjetor të jenë larguar nga zyra.
Të larguarit kanë qenë të punësuar si specialistë në sektorë të ndryshëm të kësaj drejtorie. Argumenti i paraqitur është se Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik gjendjet në vështirësi financiare dhe kjo lidhet me pagat dhe pagesën e sigurimeve. Punonjësit e shkarkuar i kanë nisur një letër ankese kryeministrit Rama, ministrave Bushati dhe Ahmetaj, ku sqarojnë pretendimet e tyre.