Vendi ynë është përfshirë nga moti i keq këtë të martë, me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe reshje dëbore në zonat malore.
Midis zonave të prekura nga stuhia e shiut është edhe qyteti i Librazhdit.
Era e fortë dhe shiu kanë përmbytur rrugët e qytetit, ndërsa nga pamjet e publikuara nga bashkia duket se era ka rrëzuar çadrat dhe karriget e bizeseve në qytet. Raportohet se për shkak të mbizotërimit të motit të keq është bërë pothuajse i pamundur qarkullimi i automjeteve nëpër rrugë.
Në lidhje me situatën e përkeqësuar të motit ka reaguar edhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha. Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryebashkiaku apelon qytetarët e Librazhdit të shmangin lëvizjet në këmbë apo me makinë, që nuk jane të domosdoshme, por të qendrojnë në shtëpi.
Kryebashkiaku thotë se Librazhdi ështe përfshirë nga reshje të dendura shiu që nuk pushojnë prej disa orësh dhe erëra të forta dhe se sipas parashikimit të IGJEUM do të vazhdojë përkeqësimi i kushteve të motit gjatë gjithë natës.
Postimi i plotë i kryebashkiakut të Librazhdit
Njoftim/ Librazhdi ështe përfshirë nga reshje të dendura shiu që nuk pushojnë prej disa orësh dhe erëra të forta. Po kështu sipas parashikimit të IGJEUM do të vazhdojë përkeqësimi i kushteve të motit gjatë gjithë nates.
Për shkak të këtij moti që mund të shkaktojë probleme të ndryshme ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin lëvizjet në këmbë apo me makinë, që nuk jane të domosdoshme, por të qendrojnë në shtëpi.
Bashkia Librazhdit është në gadishmëri dhe të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve janë në terren për të kryer mirëmbajtjet e duhura aty ku ka nevoje për ndërhyrje emergjente.
Strukturat e bashkisë së Librazhdit, ndërmarrja Rruga, policia bashkiake dhe ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve janë në gadishmëri maksimale për çdo problematikë që mund të hasni ju dhe familjet tuaja. Për çdo nevojë mund të kontaktoni: Zjarrëfikësja 128