Hapësire reklamuese

Aktualitet

Shiste kontrabandë ilaçe për Covid, Gjykata e Tiranës "çon" në shtëpi Topçiun e “Farma Net Albania”

Shkruar nga Newsbomb
Shiste kontrabandë ilaçe për Covid, Gjykata e Tiranës

Gjykata ka lënë në masën "arrest shtëpie” për Sokol Topçiu, pronar i kompanisë “Farma Net Albania”, i cili u arrestuar pak ditë më parë nga Policia si pjesë e një grupi pronarësh të farmacive që vepronin në Tiranë, që shisnin ilaçe kontrabandë për Covid-19.

Bëhet me dije se Topçiu do të hetohet nën masën e arrestit shtëpiak.

Topçiu dhe personat e tjerë të arrestuar më parë (të cilët gjithashtu u liruan pak ditë më parë), rënë në “grackën” e ngritur nga Prokuroria dhe oficerët e krimit ekonomik. Ata kishin bërë blerje të stimuluara me agjentë të infiltruar në disa raste. Këto ilaçe bliheshin kontrabandë për 20 dollarë dhe shiteshin nga 500 mijë lekë (të vjetra).

Më parë është liruar Florian Marku 39 vjeç, administrator i një farmacie; Blerim Bitri 40 vjeç, administrator i një farmacie; Margarita Xhaxhiu 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë; Jani Papuli 66 vjeç, i punësuar nga Margarita Xhaxhiu; Florian Lila 40 vjeç, administrator i një farmacie; Bashkim Osmani 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.

Kush është Sokol Topçiu?

Newsbomb.al ka shkruar dhe më parë për pronarin e “Farma Net Albania” i cili kur qytetarët dhe bizneset ishin në vështirësi të mëdha në ditët e para të pandemisë së Covid, në vitin 2020, Sokol Topçiu vetëm pasurohej.

Në muajt e parë të vitit 2020, kompania Farma Net Albania, me pronar Sokol Topçiun ka arritur të fitojë mbi 3 milion euro tendera nga disa institucione të qeverisë shqiptare, për t’i pajisur ato me maska mbrojtëse, dezinfektantë dhe ndonjë pajisje tjetër për të mbrojtur punonjësit e tyre nga koronavirusi.

Në një kohë kur qeveria shqiptare kishte vendosur të pezullonte të gjithë tenderat e tjerë, përveç atyre që kishin lidhje me Covid-19, Farma Net Albania SHPK arriti të kapte një tender të majmë me vlerë plot 3.46 milion euro, së bashku me kompaninë tjetër “Euromed”, sh.p.k, tender i dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.

 Më vonë, po kjo kompani e drejtuar nga Sokol Topçiu arriti të “kapë” edhe 200 mijë euro të tjera nga dy tendera me vlerë 100 mijë euro secili, nga OSHEE dhe Posta Shqiptare! Farma Net Albania do të furnizonte me maska mbi 2 mijë punonjës të dy institucioneve të mësipërme.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll