
Festivalet e kulturës vazhdojnë të organizohen në vendin tonë, edhe pse situata e COVID-19 po përkeqësohet.
Mirëpo pavarësisht shifrave në rritje dhe thirrjes së autoriteteve për mosgrumbullim të qytetarëve, kjo nuk i ka ndaluar qytetet e Elbasanit dhe të Gjirokastrës të organizojnë evente kulturore.
Gjatë ditës së sotme në Elbasan është zhvilluar edicioni i pestë i “Festivalit Ndërkombëtar i Orkestrës së Harqeve”. Artistët ishin të detyruar të performonin me maska për të parandaluar përhapjen e virusit.
Sipas organizatorëve, 4 grupe u tërhoqën në moment të fundit nga festivali për shkak të pandemisë. Ndërkohë, edhe në Gjirokastër u mbajt festivali “Divani Lunxhiot”, i cili sipas banorëve ka një rëndësi shumë të madhe për qytetin. Evenimenti kulturor përfshin folklorë me këngë, valle e kostume të larmishme.
Ish-kryeministri Berisha, gjithashtu ka postuar një mesazh të një ndjekësi të tij i cili thotë se “është goxha i shqetësuar me situatën që po përjetojnë në Gjitrokastër pasi eventet e Ministrisë së Kulturës po përhapin akoma dhe më shumë virusin”.
Rastet pozitive me koronavirus vazhdojnë të jenë në rritje. Vetëm brenda 24 orëve ka patur 22 raste në Elbasan dhe 11 raste në Gjirokastër ku prej të cilëve humbi jetën një 77-vjeçar nga Gjirokastra.