Ish-ministri socialist Ilir Beqaj, vazhdon përballjen me drejtësinë në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme, pasi akuzohet koncesionin e sterilizimit dhe shpërdorimin e fondeve gjatë kohës që drejton te Agjencinë për Koordinimin e ndihmave Europiane.
Mirëpo, teksa beteja me drejtësinë vazhdon, Ilir Beqaj ka nisur paralelisht një gjyq të tretë. Ai ka refuzuar një shumë prej 120 mijë lekësh të reja që i është kërkuar nga SPAK, për marrjen në dorëzim të materialeve hetimore.
A2 CNN shkruan se ish-ministri është njoftuar se për të marrë një kopje të dosjes në ngarkim të tij, duhet të paguante shumën e 1.2 milionë lekëve të vjetra ose 120 mijë lekëve të reja.
I habitur nga shuma që duhet të paguante, Ilir Beqaj ka depozituar një kërkesë penale në Gjykatën e Posaçme dhe përmes saj ai i kërkon togave të zeza që të urdhërojnë SPAK t’i japë aktet e dosjes pa paguar shpenzimet procedurale.
Seanca paraprake është mbajtur dje dhe Beqaj nuk ka marrë pjesë personalisht në shqyrtimin e kërkesës, por përmes avokatëve mbrojtës ka insistuar se shpenzimet procedurale mund të paguhen vetëm në fund të procesit.
Gjyqtari Erion Bani ka shtyrë seancën për një datë të dytë dhe nga Ilir Beqaj është kërkuar që të paraqesë disa prova në formën e kërkuar nga ligji. Kjo pagesë është kthyer në "mollë sherri" mes ish-ministrit dhe SPAK, ndërsa në daljet publike Beqaj ka thënë se ka kërkuar në disa raste që materialet në ngarkim të tij t'i vihen në dispozicion.
Si një ndër zyrtarët më të lartë të mazhorancës socialiste, Ilir Beqaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” para një hetuesi apo oficeri të Policisë Gjyqësore një herë në javë, çdo të premete në orën 15.30.
Gjithashtu, Ilir Beqajt i është komunikuar dhe masa e dytë “Ndalim i daljes jashtë vendit”.
Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.